Artin Spahiu
Mbrëmë e dëgjova me shumë kujdes debatin në podcastin “Rishtazi” në KohaCast, të udhëhequr nga gazetari Nazim Rashidi, ku mysafir ishte sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.
Një emision që nisi dhe për afro gjysmë ore u përqendrua pothuajse vetëm te Artan Grubi i, te rikthimi i tij dhe te disa çështje që, të them të drejtën, nuk të linin një shije të mirë.
Debati filloi në një mënyrë jo fort të drejtë. Ndoshta edhe për efekt të nxitjes së debatit- siç shpesh gazetarët dinë ta bëjnë për ritëm emisioni dhe për klikime- si në asnji rast parë, Nazim Rashidi parashtroi disa konstatime/pyetje që, për nga fryma, edhe vetë Mickoski do t’i kishte lakmi.
Nuk më duket e hijshme që një gazetar të marrë deklaratat politike të partive dhe t’i trajtojë si fakte të mirëqena, duke u përpjekur që rastin e Artan Grubit dhe rikthimin e tij ta interpretojë në të njëjtën mënyrë si partitë e qeverisë aktuale, që për fat të keq kanë një imazh të coptuar sa i përket çështjes shqiptare, sepse për çdo ditë, për fat të keq, tashmë tregojnë një profil të theksuar etnocentrik dhe shpesh antishqiptar.
Konstatime të tipit “qeveri arrogante” për ish-qeverinë ku shqiptarët ishin faktor vendimmarrës nuk mendoj se janë të arsyeshme në kontekstin shqiptar. Fatkeqësisht, në këtë rast arrogancë po quhet fuqia dhe faktorizimi institucional i shqiptarëve.
Çfarë nënkupton Nazimi me “arrogancë”?
A është arrogancë fakti që shqiptarët ishin faktor i rëndësishëm dhe partner vendimmarrës në shtet?
Nëse ata ministra dhe udhëheqës shqiptarë që konsideroheshin ndër më të suksesshmit dhe më të fuqishmit quhen arrogantë, atëherë çfarë duhet të themi për këta të sotmit që janë dukshëm më të dobët në ndikim?
Apo qeverisje e mirë dhe stabile paska qenë servilizmi dhe vasaliteti? Apo ndoshta flasin ata që nuk kanë qenë pjesë e qeverisjes dhe nuk e kanë ditur se çfarë ndodhte realisht brenda saj?
Një tjetër konstatim që më dukej joracional dhe i padrejtë ishte mënyra se si një gazetar shqiptar e cilëson si krim dhe korrupsion një vendim kolektiv të qeverisë, siç pretendohet për rastin e Artan Grubit. Edhe vetë maqedonasit rrallëherë e bëjnë një gjë të tillë.
Do të ishte shumë më racionale që të gjithë të ngrihemi kundër këtij precedenti: që një shqiptar – dhe deri më sot asnjë udhëheqës maqedonas – të akuzohet individualisht për një vendim kolektiv të qeverisë. Ky standard duhet të kundërshtohet, sepse përndryshe shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë në këtë shtet.
Po ashtu, nuk është i saktë as konstatimi se Artan Grubi ndodhet në “listën e zezë” amerikane. Artani nuk ka asnjë sanksion financiar apo familjar, thjesht i është anuluar viza dhe nuk mund të hyjë në SHBA. Për një nga njerëzit më proamerikanë që njoh, kjo ka ndodhur për arsye që ndoshta do të mund të diskutohen një herë tjetër, sepse në këtë histori ka shumë faktorë diplomatikë dhe politikë- brenda dhe jashtë vendit, madje edhe brenda vetë BDI-së- që do të ndiheshin të prekur nëse do të flitej hapur për këtë çështje.
Së fundi, nuk mendoj se është i saktë as pretendimi se qytetarët kanë një perceptim negativ për garniturën e BDI-së që qeverisi në periudhën 2020–2024. Përkundrazi, në atë kohë ata vlerësoheshin shpesh me superlativa për punën dhe profesionalizmin. Sot, kur qytetarët shohin një dobësim dhe një nënshtrim të faktorit shqiptar në raport me atë maqedonas, e madje edhe ndaj ndikimeve serbe, shumë prej tyre e shohin me nostalgji atë periudhë dhe në veçanti figurën e Artan Grubit.
Për të qenë i sinqertë në vlerësim, Arbër Ademi përballë këtyre konstatimeve dhe pyetjeve jo gjithmonë racionale të gazetarit ishte brilant, duke mbrojtur me guxim dhe argument një nga periudhat që BDI e konsideron ndër më të suksesshmet e saj.
Dhe në fund: Artan Grubi nuk është rrezik për askënd , as për ndonjë individ dhe aq më pak për BDI-në. Por për ata që nga frika kanë inskenuar situata të caktuara, i kanë bërë dëm, ndoshta mund të jetë.