Tragjedia në Vjenë: 4 punëtorë nga Kosova humbin jetën pas shembjes së skelave në një kantier ndërtimi
Katër persona humbën jetën, pas shembjes së skelave në një kantier ndërtimi. Ngjarja ndodhi në një lagje të Vjenës, pranë Shkollës Franceze dhe Pallatit të Lihtenshtajnit aty pranë, një nga pallatet më luksoze dhe historike të qytetit.
Ende nuk dihen shkaqet e sakta të kësaj tragjedie. Autoritetet njoftuan se gjithashtu një person ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës, i cili tragjikisht humbi jetën në vendin e punës, në Vjenë të Austrisë, bashkë me 3 shokët e tij nga Kosova”, thuhet në njoftim.
Një nga viktimat është identifikuar si Pajtim Bajrami. Vdekjen e këtij të fundit e kanë konfirmuar familjarët e tij.
Ndërkohë Policia po merr deklarata nga dëshmitarë okularë dhe punëtorë që i mbijetuan aksidentit, për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë.