BDI : Sot është 7 Prilli – Dita Botërore e Shëndetësisë. Sekretariati për Shëndetësi – Çair paraqet vlerësimin për gjendjen reale të sistemit publik shëndetësor
Sot është 7 Prilli dita botërore e shëndetësisë dhe në emër të Sekretariatit për Shëndetësi, dalim sot para jush me vlerësim se sistemi shëndetësor po përballet me probleme serioze që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e menaxhimit dhe drejtimit të tij.
Së pari, drejtimi i sektorit është në duar të një ministri jokompetent,pa përvojë reale në sistemin shëndetësor, as nga brenda si profesionist dhe as nga perspektiva e përdoruesit të shërbimeve publike. Kjo reflektohet në mungesë kuptimi për prioritetet reale dhe në fokus të gabuar të politikave,
Ministri, në vend që të adresojë problemet bazë të sistemit, është përqendruar në promovimin e projekteve të nisura nga qeveria e kaluar, dhe detyrave partiake të VMrO DPMNE. ndërkohë që kompetencat reale për vendimmarrje janë zhvendosur jashtë ministrisë te Fondi . Në praktikë, kemi një drejtim formal pa ndikim real në funksionimin e sistemit.
Në këtë kontekst, promovimi i projekteve si telemjekësia, në kushtet kur shërbimet bazë përballen me mungesa serioze, tregon mungesë orientimi dhe shkëputje nga realiteti në terren.
Së dyti, zhvillimet në Fondin e Sigurimit Shëndetësor kanë përkeqësuar balancën institucionale. Heqja e bashkëdrejtorit, i cili siguronte një nivel të domosdoshëm përfaqësimi dhe përfshirjeje në vendimmarrje, ka çuar në monopolizim të plotë të institucionit.
Si pasojë, Fondi po funksionon pa mekanizma efektivë kontrolli dhe transparence, duke u shndërruar në një strukturë të mbyllur, me ndikim të theksuar partiak, që po reflektohet në mënyrën e menaxhimit të mjeteve dhe në orientimin e politikave shëndetësore.
Së treti, largimi i drejtorëve organizativë ka dobësuar mekanizmat e brendshëm të menaxhimit dhe ka rikthyer praktika përjashtuese në funksionimin e institucioneve shëndetësore. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe në organizimin e punës në institucionet publike.
Paralelisht, procesi i decentralizimit dhe rajonalizimit është ndalur. Qendrat rajonale nuk po zhvillohen, ndërsa qytetarët vazhdojnë të orientohen drejt Shkupit për shërbime specialistike, duke rritur ngarkesën në Qendrën Klinike dhe duke zgjatur listat e pritjes.
Në këtë situatë, janë evidente disa pasoja: pritje të gjata për shërbime, rritje e pakënaqësisë së qytetarëve, ritja e sjpenzimeve. mungesa e barnave, largim i kuadrit profesional dhe rritje e varësisë nga sektori privat.
Këto zhvillime tregojnë mungesë të një qasjeje të qëndrueshme dhe të bazuar në ekspertizë.
Sistemi shëndetësor kërkon drejtim profesional, institucione funksionale dhe politika të bazuara në nevojat reale të qytetarëve.
Urime dita botërore e shnëndetësise