Ekipet e “Elektrodistribucionit”, në koordinim me SPB Tetovë, kanë zbuluar përdorim të paligjshëm të energjisë elektrike në një kompleks afarist të vendosur në Kodrën e Diellit.
Siç njoftojnë nga kompania, gjatë kontrollit është konstatuar “përdorim i kundërligjshëm i energjisë elektrike përmes një dollapi shpërndarës kabllor, me kyçje direkte të paautorizuar përmes kabllit të tensionit të ulët (4×16 mm2)”.
Për këtë rast është përpiluar procesverbal përkatës, ndërsa për shkak të seriozitetit të shkeljes, është paraqitur kallëzim në MPB sipas nenit 235-a të Kodit Penal, NJOFTON TS.
Përveç pasojave ligjore, është përllogaritur edhe një faturë për kompensimin e dëmit në vlerë prej 1.361.599,00 denarë.
“Elektrodistribucioni” do të vazhdojë me kontrolle intensive në terren me qëllim parandalimin e këtyre dukurive dhe mbrojtjen e sistemit elektroenergjetik, duke paralajmëruar sanksione të rrepta për çdo person që shfrytëzon energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.