Me një mesazh të fortë se e ardhmja e shtetit ndërtohet në vend, përmes dijes, ideve dhe guximit,
ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot hapi Garën
kombëtare për konceptin më të mirë të biznesit për inovacione të gjelbra për shkollat e mesme
2026/2027, e cila u mbajt në Fakultetin e makinerisë pranë UKIM-it.
Ministrja Bozhinovska dhe Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale këtë vit
qëndrojnë si mbrojtëse e një prej proceseve më jetëgjata dhe më relevante arsimore-inovative në
vend, i cili tashmë prej 18 vitesh krijon gjenerata të rinjsh që mendojnë në mënyrë sipërmarrëse,
inovative dhe me përgjegjësi ndaj mjedisit.
Kjo garë është një platformë ku të rinjtë i shndërrojnë idetë e tyre në koncepte reale – zgjidhje për
efikasitet energjetik, burime të ripërtëritshme, ekonomi qarkore dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Pikërisht për këtë arsye, gara tashmë ka marrë edhe njohje ndërkombëtare – çmimin prestigjioz
ETF Green Skills Award 2025, në konkurrencë me mbi 50 vende, duke e pozicionuar më tej
Maqedoninë si një vend që investon në aftësi të gjelbra dhe në të ardhmen.
Këtë vit, 42 ekipe të shkollave të mesme aplikuan me zgjidhjet e tyre inovative të gjelbra, ndërsa
20 më të mirat sot garojnë në gjysmëfinale. Tetë më të suksesshmit do të sigurojnë kualifikimin
në finalen që do të mbahet më 7 maj në Kavadar.
Në fjalimin e saj, ministrja Bozhinovska dërgoi një mesazh të qartë:
„ Mbështetja e të rinjve për ne nuk është deklarative – ajo është strategjike. Nëse duam ekonomi
të fortë dhe sistem energjetik të qëndrueshëm, duhet të investojmë tek ata që do ta mbajnë
zhvillimin e së nesërmes. Këta të rinj nuk janë vetëm nxënës – ata janë inxhinierë, sipërmarrës
dhe krijues të politikave të ardhshëm.“
Ajo theksoi se inovacionet e gjelbra nuk janë më zgjedhje, por domosdoshmëri, dhe se shteti
duhet të krijojë kushte që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre këtu, e jo jashtë vendit:
„ Detyrimi ynë si institucione është i qartë – t’i njohim, t’i mbështesim dhe t’u krijojmë kushte të
rinjve që t’i realizojnë idetë e tyre këtu. Të mos kërkojnë mundësi jashtë, por ta gjejnë atë në
vend. Të qëndrojnë, të krijojnë, të ndërtojnë karrierë dhe ta zhvillojnë shtetin. Mbështetja e
vazhdueshme e të rinjve, ideve dhe inovacioneve të tyre nuk është zgjedhje – është parakusht për
përparim.“

Gara organizohet nga Qendra për inovacione të gjelbra pranë Fakultetit të Makinerisë – Shkup,
në bashkëpunim me Qendrën kombëtare për zhvillimin e inovacionit dhe mësimin sipërmarrës,
ndërsa partnerë dhe mbështetës këtë vit janë edhe sektori privat dhe institucionet arsimore që
ofrojnë mbështetje financiare dhe mentorim për ekipet e reja.
Me këtë patronazh, Ministria e energjisë e përcakton qartë politikën e saj – investim në dije,
mbështetje për të rinjtë dhe krijimin e kushteve që Maqedonia të bëhet një vend ku inovacionet
zhvillohen dhe të rinjtë qëndrojnë.
E ardhmja nuk pritet – ajo krijohet..

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume