Për shkak të mungesës së LSDM-së, u shty mbledhja e katërt e Grupit të Punës për reformat në legjislacionin zgjedhor, një proces nga i cili varet drejtpërdrejt kredibiliteti i zgjedhjeve dhe besimi i qytetarëve informon Tetovasot.

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, informoi se partitë politike kanë dorëzuar vërejtje dhe komente shtesë mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR. Në tryezë ishin edhe propozimet e institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor, me të cilat Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar takime konstruktive gjatë periudhës së kaluar: Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Agjencia për Administratë dhe iniciativat e pavarura qytetare.

“Por ajo që mungoi sot është pikërisht ajo që është më e nevojshme – pjekuria politike. Nuk mund të flasim për zgjedhje të drejta dhe demokratike, ndërsa njëkohësisht të mos marrim pjesë në procesin që duhet t’i sigurojë këto standarde. Demokracia nënkupton dialog, kompromis dhe përgjegjësi të përbashkët.

Sot patëm mundësinë të shohim fytyrën e vërtetë të një partie politike që fatkeqësisht ka humbur drejtimin, e cila me një sërë hapash të gabuar, të udhëhequr nga interesa të ngushta partiake, po e bllokon me vetëdije agjendën reformuese dhe po e frenon përparimin evropian të shtetit.

LSDM zgjodhi të mos jetë pjesë e procesit në një moment kur merren vendime thelbësore. Kjo është dëshmi se angazhimet e tyre për një të ardhme evropiane janë vetëm deklarative, ndërsa realiteti është krejtësisht ndryshe”, deklaroi ministri Filkov.

Ai theksoi se kjo nuk është hera e parë që LSDM sillet në këtë mënyrë.

“Në Kuvend ata bllokuan edhe Ligjin kyç për Prokurorinë Publike, edhe pse një pjesë e amendamenteve të tyre u pranuan. Me politika të tilla, të turpshme dhe të papërgjegjshme, reformat mbahen peng nga interesat e ngushta partiake, ndërsa e ardhmja evropiane e qytetarëve tanë mbetet e pasigurt.

Me këtë sjellje të deritanishme dhe me mos pjesëmarrjen në grupin e punës për reformat zgjedhore, rrezikohen drejtpërdrejt 4 milionë e 281 mijë e 623 euro. Ndërsa me bllokimin e Ligjit për Prokurorinë Publike në Kuvend, shtesë rrezikohen edhe 6 milionë e 422 mijë e 623 euro – mjete që mund të ndihmojnë ndjeshëm procesin reformues dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë për çdo qytetar”, tha Filkov.

Ai porositi se Qeveria do të vazhdojë me përkushtim të punojë në reformat deri në arritjen e qëllimit përfundimtar – sigurimin e stabilitetit, prosperitetit dhe sundimit të ligjit.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume