Brenda qëndrimit në Athinë me rastin e pjesëmarrjes në samitin dyditor Energy
Transition Summit: East Med and Southeastern Europe, ministrja e energjisë, minierave
dhe burimeve minerale Sanja Bozhinovska zhvilloi një takim pune me ambasadoren e
Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Kimberly Guilfoyle.
Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet
bilaterale midis dy shteteve, me theks të veçantë në bashkëpunimin energjetik, sigurinë
energjetike dhe mundësitë për thellimin e partneritetit në fushën e projekteve
infrastrukturore dhe strategjike energjetike.
Bashkëbisedueset u ndalën edhe te dialogu strategjik i zhvilluar së fundmi në
Uashington, ku energjetika ishte një nga temat qendrore, me ç’rast u riafirmua
përkushtimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e
tranzicionit energjetik.
Ministrja Bozhinovska e informoi ambasadoren për ecurinë e aktiviteteve lidhur me
ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së
Republikës së Maqedonisë ndaj realizimit të projekteve që do të kontribuojnë në
stabilitet më të madh energjetik, diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe rritjen e
ndërlidhjes rajonale.
U theksua së bashku nevoja për rritjen e vëllimit të investimeve amerikane në projekte
energjetike dhe infrastrukturore në Maqedoni dhe në rajon, veçanërisht në fushën e
infrastrukturës së gazit dhe modernizimit të kapaciteteve energjetike.
Në takim, ministrja Bozhinovska i përcolli një ftesë ambasadores Guilfoyle për të vizituar
Republikën e Maqedonisë në një të ardhme të afërt.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume