Një pllakë ari e vlerësuar në 4,5 milionë denarë është sekuestruar në një aksion të zyrtarëve doganorë gjatë daljes nga shteti në pikën kufitare Bogorodicë.

Rasti u zbulua pasi një autobus që qarkullonte në linjën Gostivar– Stamboll u veçua për kontroll. Më pas, për shkak të dyshimeve të bazuara, u krye një kontroll i detajuar ndaj një udhëtari, shtetas i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit, në njërën nga këpucët e tij u gjet një pllakë ari me peshë 848 gramë, e mbështjellë me letër të bardhë.

Autori, i cili e kishte mbajtur pllakën në xhaketë, për ta kontrabanduar atë, pak para kontrollit e kishte fshehur në këpucë.

Kundër autorit, nga Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, në prokurorinë themelore publike në Gjevgeli është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.

Drejtoria e Doganave vazhdon në mënyrë të pandërprerë aktivitetet për parandalimin e tregtisë ilegale dhe kontrabandimit të mallrave me vlerë, me qëllim mbrojtjen e rrjedhave legale tregtare dhe interesave ekonomike të shtetit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume