Bashkim Aliu

Mektebi (mësonjëtorja) në qendrat islame të themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, nuk ka vetëm funksion të mësim-besimit, por ai është një adresë serioze edhe e kultivimit të gjuhës shqipe, si dhe kultivimit të kulturës dhe traditave shqiptare. Këtë do ta mbështesim me aktivitete konkrete të qendrave islame të themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, duke i theksuar prej tyre si shembull (Disa nga këto aktivitete u përmendën në pjesën e parë të këtij punimi ):

MËSIMI PLOTËSUES I GJUHËS SHQIPE

Një aktivitet i rëndësishëm i mektebeve të xhamive të mërgatës shqiptare në Zvicër është edhe organizimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Në Zvicër vepron mësimi plotësues i gjuhës shqipe i cili organizohet nga shkolla shqipe. Sipas Dr.Vaxhid Sejdiu, veprimtar në fushën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, data 20. Shtator 1990, njihet si data e pavarësimit të shkollës shqipe në Zvicër, nga Ambasada jugosllave. Në qytete të ndryshme të Zvicrës janë të hapura klasa për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Marrë parasysh shtrirjen e gjerë të mërgatës shqiptare në të gjitha qytetet e Zvicrës dhe pamundësinë që në çdo qytet të funksionojë klasë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, në disa xhami, fjala vjen si në xhaminë “Tulipan” në Rainah (Reinach), në kuadër të mektebit organizohet mësim plotësues i gjuhës shqipe në përputhje me planprogramin e përgatitur nga sektorët përkatëse qeveritare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës. Imami i xhamisë “Tulipan” në Reinah shprehet: “Ne e organizojmë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në kuadër të mektebit, pasi klasa ku organizohet mësimi plotësues i gjuhës shqipe është larg dhe për prindërit është e vështirë që ta organizojnë kohën në fundjavë për t’i dërguar fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Për këtë arsye, ata kërkuan prej nesh që kur i sjellin fëmijët në mekteb për mësim-besim, të zhvillojmë edhe mësim plotësues të gjuhës shqipe. Ne u ofruam hapësira në xhami shkollës shqipe, por nuk pati përgjigje pozitive nga ana e tyre, ashtu që ne e organizojmë mësimin plotësues të gjuhës shqipe në bazë të planprogramit të përbashkët për gjuhën shqipe në diasporë të hartuar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës”.

Në disa xhami, në lokalet e xhamisë vepron klasa e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Kështu, fjala vjen, në Qendrën Shqiptare për Kulturë, Integrim dhe Religjion në Lozanë, në lokalet e kësaj qendre organizohet mësimi plotësues i gjuhës shqipe nga ana e Institutit “Feti Vejseli”. Po ashtu, ky institut e ka organizuar mësimin plotësues të gjuhës shqipe deri në vitin 2022 edhe në ambientet e xhamisë “Dituria” në Gjenevë.

Ndërkaq, të gjitha xhamitë e mërgatës shqiptare në Zvicër e kanë mbështetur mësimin plotësues të gjuhës shqipe, qoftë duke ofruar hapësira të xhamisë gratis për këtë qëllim, apo përmes bashkëpunimit me shkollën shqipe dhe apelimin te popullata që t’i dërgojnë fëmijët në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Këtë e vërtetojnë imamët dhe kryetarët e xhamive të cilët i kemi kontaktuar për këtë qëllim, si: Ferid ef. Zeqiri, imam në xhaminë e Regensdorfit, Nehat ef. Ismaili, imam në “Xhaminë e bardhë” në Aarburg, Rijad ef. Aliu, imam në xhaminë “Dituria” në Gjenevë, Fehim ef. Abazi imam dhe njëherit kryetar i Qendrës Shqiptare për Kulturë, Integrim dhe Religjion në Lozanë, Halil Avduli, imam në xhaminë e mërgatës shqiptare në Glarus, Lulzim Lecaj, kryetar i xhamisë shqiptare në lagjen Seebah (Seebach) të Cyrihut (Zürich), etj.

Këtë e vërtetojnë edhe vetë mësues dhe aktivistë në këtë fushë. Kështu, veprimtari i njohur në fushën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër, Dr. Vaxhid Sejdiu thotë: “Një vlerë e veçantë që duhet patjetër të theksohet është bashkëpunimi në nivel të lartë me kryesinë e xhamisë së Flumsit, me të cilën gjithmonë kemi vepruar bashkërisht në informimin e prindërve shqiptarë, për rëndësinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, ruajtjen e saj dhe vazhdimin e përpjekjeve tona në rrugë kombëtare. Ligjëratat e hoxhallarëve: prof.dr. Naser Ramadanit dhe Irfan Musliut, fjalët e anëtarëve të kryesisë, kryetarit të saj z.Adnan Fazliut, në takime me anëtarët e Bashkësisë, kanë pasur në qendër të vëmendjes gjuhën dhe shkollën shqipe, duke i porositur prindërit publikisht që fëmijët e tyre ta ruajnë gjuhën amtare”.

ORGANIZIMI I HATMEVE (PËRFUNDIMIT TË LEXIMIT TË KUR’ANIT)

Organizimi i hatmeve me ndjekësit e mësim-besimit në mektebet e xhamive të themeluara prej shqiptarëve në Zvicër, është një nga evenimentet bazë të xhamive ku marrin pjesë një numër i madh pjesëmarrësish. Marrin pjesë familjarët dhe miqtë e nxënësve të cilët bëjnë hatme, si dhe xhematlinj, të ftuar e të interesuar të tjerë për këto evenimente, të cilat në disa raste organizohen nëpër xhami, e në disa raste, varësisht prej numrit të nxënësve që bëjnë hatme, organizohen nëpër salla.

Shikuar nga aspekti i identitetit kombëtar, hatme do të thotë se nxënësi përkatës ka kaluar disa module mësimore në gjuhën shqipe, është njohur me të dhëna të rëndësishme për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare, krahas dijeve fetare, si dhe e ka ndjerë ambientin shqiptar në mërgim përmes prezencës në mesin e nxënësve shqiptarë nga troje të ndryshme.

Po ashtu, përmbajtja e pikave të hatmeve janë shumë të rëndësishme, pasi nuk përmbajnë vetëm elemente fetare, por si zakonisht programet e hatmeve përmbajnë edhe recitim poezish në gjuhën shqipe, ilahije në gjuhën shqipe, pjesë teatrale në gjuhën shqipe dhe prezantim të njohurive që kanë të bëjnë me historinë kombëtare shqiptare dhe me gjuhën shqipe, krahas elementeve fetare. Dhe ajo që është e rëndësishme, nxënësve të cilët bëjnë hatme, krahas dhuratave të tjera, u dhurohen edhe libra në gjuhën shqipe, qoftë libra me përmbajtje fetare, apo libra të historisë kombëtare, abetare e romane në gjuhën shqipe. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi nxënësit janë të lidhur emocionalisht me këto dhurata pasi i kanë marrë për një arritje të veçantë në jetën e tyre.
Në të shumtën e rasteve kur organizohen hatme, qoftë të gjithë pjesëmarrësit, meshkuj dhe femra, apo një pjesë e tyre, janë të veshur me veshje kombëtare, që paraqet po ashtu një element shumë të rëndësishëm në promovimin dhe lidhjen e tyre me kulturën dhe traditën kombëtare shqiptare.

Programet e hatmeve, si zakonisht incizohen dhe publikohen në web-faqet e xhamive përkatëse, në rrjetet sociale nga nxënësit, prindërit e tyre dhe nga persona të tjerë, po edhe nga televizione lokale në vendlindje, që do të thotë se kjo që e prezantuam është lehtësisht e vërtetueshme përmes arkivave të xhamive, por edhe në mënyrë digjitale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume