Shkup, 30 maj 2026 – Ministria e Arsimit dhe Shkencës reagoi ndaj komunikatës së partisë politike Levica, duke e akuzuar atë për manipulim me informacione dhe mashtrim të opinionit publik përmes publikimit të vërejtjeve nga raporti i revizionit për punën e Ministrisë në periudhën e qeverisë së kaluar informon Tetovasot.
Nga MASH theksojnë se bëhet fjalë për raportin e revizionit për vitin 2023, ndërsa Levica padrejtësisht ia atribuon gjetjet qeverisjes aktuale.
“Në interes të së vërtetës, jemi të obliguar të reagojmë dhe ta informojmë opinionin publik. Udhëheqësia aktuale e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke punuar me përgjegjësi dhe transparencë, po vepron sipas të gjitha rekomandimeve të revizorit shtetëror të përfshira në raportin në fjalë”, thuhet në reagim.
Nga Ministria rikujtojnë se vetëm para pak ditësh njoftuan se po zbatojnë një nga rekomandimet e Entit Shtetëror për Revizion, që ka të bëjë me ndryshimin e modelit të financimit të konvikteve studentore, ndërsa pikërisht Levica kishte reaguar kundër këtij veprimi.
“Po atë ditë, Levica pretendoi në mënyrë të pavërtetë se MASH po e ul numrin e bursave studentore. Sot e njëjta parti thotë të kundërtën”, theksohet në reagim.
Ministria vlerëson se roli i opozitës është të kritikojë, por jo të përhapë të pavërteta. Nga atje i bëjnë thirrje Levicës që, në vend të publikimeve në rrjetet sociale, të propozojë projekte konkrete që do të ndihmonin për përparimin e arsimit.
MASH nënvizon se me mbështetjen e Qeverisë është siguruar buxheti më i madh ndonjëherë për arsimin dhe shkencën gjatë këtij viti, ndërsa mjetet po përdoren sipas prioriteteve programore, përmes formulave të reja të financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, investimeve infrastrukturore dhe mbështetjes më të madhe për institucionet e arsimit të lartë dhe veprimtarinë shkencore.
“Nuk kontribuohet për të mirën e përgjithshme me gënjeshtra, por me vepra konkrete”, përfundon reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume