Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj D.D., i cili ndodhet në paraburgim që nga 18 marsi 2026, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Sipas aktakuzës, më 18 mars 2026, në rrugën “Wesley Clark” në Prizren, i pandehuri ka drejtuar automjetin me shpejtësi 75 kilometra në orë në një segment rrugor ku kufizimi i lejuar ishte 40 kilometra në orë.

Prokuroria njofton se aksidenti ka ndodhur pranë një shtegu për këmbësorë, afër një rrethrrotullimi, ku i pandehuri nuk ka vërejtur me kohë këmbësorin I.O., i cili po kalonte në shtegun e këmbësorëve.

Si pasojë e goditjes, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe më vonë ka ndërruar jetë. Sipas raportit të autopsisë, vdekja ka ardhur si rezultat i lëndimeve të shkaktuara nga aksidenti në trafik.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri ka qenë i vetëdijshëm se shpejtësia e papërshtatshme në atë pjesë të rrugës mund të shkaktonte pasoja, por ka pranuar mundësinë e shkaktimit të tyre.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./Reporteri.net/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume