Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, po merr pjesë në sesionin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ (JCC), që po mbahet në Bruksel pranë Komitetit Evropian të Rajoneve, ku janë të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal dhe rajonal nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet kandidate për anëtarësim.

Gjatë sesionit po zhvillohen diskutime mbi procesin e integrimit evropian, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive të pushtetit lokal, me fokus të veçantë në rolin e komunave në zbatimin e reformave dhe përafrimin me standardet evropiane.

“Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik i vendit tonë. Në këtë proces, pushteti lokal ka një rol të pazëvendësueshëm, si hallkë që lidh reformat me nevojat konkrete të qytetarëve dhe afron standardet evropiane në nivel lokal,” u shpreh Mexhiti.

Në kuadër të takimeve dhe diskutimeve, vëmendje e veçantë po i kushtohet rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vazhdimit të reformave dhe fuqizimit të rolit të pushtetit lokal në përmbushjen e agjendës evropiane të vendit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume