Kufizimi i reklamimit të licencave dhe i distancës nga shkollat janë novitetet kryesore në propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilin kazinotë duhet të vendosen në një distancë prej të paktën 500 metrash nga shkollat. Zgjidhja aktuale ligjore ka mangësi të mëdha, gjë që imponon nevojën për një rregullim të ri dhe më të detajuar ligjor, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes, kontrollit dhe mbrojtjes së qytetarëve, theksuan nga Ministria e Financave në leximin e parë në komisionin amë.
“Me ligjin e ri ndalohen të gjitha format e reklamimit, përfshirë edhe në pjesën e jashtme të vitrinave të hapësirave afariste, të organizuesit e lojërave të veçanta ose elektronike të fatit, lejohet vetëm një reklamë me përmasa 100 me 30 centimetra. Me propozim-ligjin vendoset një distancë prej 500 metrash e hapesirave afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit nga shkollat fillore dhe të mesme.”, – deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Bytyqi: Ligji ka mangësi dhe kontradikta
Nga opozita pajtohen se ka nevojë për një zgjidhje të re ligjore, por konsiderojnë se propozimi aktual ka mangësi dhe kontradikta. Ata kërkojnë mbylljen e plotë të kazinove në vendbanimet e banuara dhe kufizim më të rreptë të reklamimit.
“Reklamimin, siç thonë, do ta ndalojmë kudo që popullata e përgjithshme të mos ketë qasje në kazino, sepse ato janë të dëmshme. Ndërsa nga ana tjetër, do të financojmë kategoritë e rinisë në sport, ku do t’u lejohet të shfaqet brendi i lojërave të fatit, i kazinove e të tjerave. Mendoj se kjo është vërtet paksa kontradiktore.”, – theksoi Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Stojanovski: Kufizojmë reklamat
Kundërpërgigjen nga VMRO-DPMNE, nga ku këmbëngulin se ky është një hap i guximshëm që asnjë qeveri e kaluar nuk ka pasur vullnet ta ndërmarrë.
“Më thoni, cili pushtet në këtë shtet deri më tani ka vepruar aq guximshëm sa i përket reklamimit në media? Tani nuk do të mund të reklamojnë në media. Nuk do të ketë reklama.”, – u shpreh Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Nga Shoqata e të punësuarve në sektorin e lojërave të fatit thonë se prej tetë vitesh janë pengmarrës të strukturave politike që luajnë me fatin e tyre dhe se idetë e propozimet e tyre injorohen nga ana e pushtetit, duke paralajmëruar se 10.000 të punësuar mund të mbeten pa punë. Propozim-ligji do të votohet në Kuvend në procedurë të rregullt. Pas leximit të parë pason procedura në të cilën do të ketë mundësi për amandamente dhe debat publik.