​Një iniciativë e re, e cila do të përshpejtojë integrimin e vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor në BE, do të lançohet nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron në Samitin BE – Ballkani Perëndimor dhe Moldavia në Tivat.

​Në një dokument të përbashkët (position paper), qeveritë e Berlinit dhe Parisit angazhohen për hapat e parë në integrim edhe para anëtarësimit të plotë, me qëllim që të përshpejtohet procesi i integrimit.
​Sipas dokumentit, përmbushja e disa kritereve të pranimit do të shpërblehet me qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe me mundësinë për të dërguar vëzhgues në institucionet evropiane.

​„Politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri“, thuhet në dokumentin në të cilin Agjencia Gjermane e Lajmeve (DPA) pati qasje.
​Është parashikuar që Merz në Samitin e Tivatit të zhvillojë takime bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

​Në këto bisedime, një theks i veçantë do t’i kushtohet perspektivës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE. Konkretisht, priten propozimet e para për integrimin e tyre më të shpejtë në institucionet dhe politikat e BE-së, madje edhe para anëtarësimit të tyre të plotë.
​Merz ka deklaruar më herët se nevojiten ide të reja dhe fleksibilitet në procesin e zgjerimit të BE-së dhe propozoi një integrim gradual të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe një anëtarësim të asociuar dhe të kushtëzuar për Ukrainën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume