Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke deklaruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Begaj thekson se përgëzon qytetarët e Kosovës “për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik”, që sipas tij dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës.

“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës. Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës. Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe evropian”, është shprehur Begaj.

Sipas numërimit të 100 për qind të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Kurti doli partia e parë me 42,92 për qind të votave, në zgjedhjet që u mbajtën më 7 qershor. E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,06 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 17,61 për qind.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume