Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Zyrës së OBSH-së në Maqedoninë e Veriut dhe Zyrës së OBSH-së për Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Sigurinë e Pacientëve në Athinë, ka nisur një nismë të rëndësishme kombëtare për forcimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së pacientëve në vend.
Kjo nismë pasqyron përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore për qytetarët, në përputhje me prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë në fushën e shëndetësisë. Duke vendosur cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe sigurinë e pacientëve në qendër të reformave shëndetësore, vendi po bën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi shëndetësor më të fortë, më rezistent dhe të orientuar drejt nevojave të njerëzve.
Nisma u lansua zyrtarisht në një punëtori kombëtare në Shkup, ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përfaqësuesi i OBSH-së në Maqedoninë e Veriut, dr. Akim Ali, si dhe dr. Zhoao Breda, udhëheqës i Zyrës së OBSH-së për Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Sigurinë e Pacientëve në Athinë. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore shëndetësore në vend, përfshirë drejtorët e Agjencisë për Akreditim dhe Cilësi të Kujdesit Shëndetësor, Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Institutit të Shëndetit Publik, si dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore, komunitetit akademik, shoqatave profesionale dhe organizatave të pacientëve.
Në thelb të kësaj nisme qëndron vlerësimi i parë gjithëpërfshirës i kornizës kombëtare për cilësinë e kujdesit shëndetësor në vend. Ky vlerësim, i cili do të realizohet gjatë periudhës maj–gusht 2026, do të ofrojë një pasqyrë të qartë të gjendjes aktuale dhe do të ndihmojë në identifikimin e prioriteteve për reforma, politika dhe investime të ardhshme.
Duke hapur punëtorinë, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu theksoi përkushtimin e Qeverisë për avancimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe sigurisë së pacientëve si prioritete kyçe të agjendës kombëtare të reformave në shëndetësi.
“Përmirësimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore është një angazhim themelor i kësaj Qeverie dhe një pjesë e rëndësishme e Programit tonë për shëndetësinë. Qëllimi ynë nuk është vetëm të ofrojmë më shumë shërbime shëndetësore, por shërbime më të sigurta, me cilësi më të lartë dhe më të orientuara drejt pacientit; shërbime që sjellin rezultate më të mira, besim më të madh dhe siguri për qytetarët. Cilësia dhe siguria e pacientëve nuk janë një element shtesë i reformës – ato janë thelbi i saj”, deklaroi ministri Aliu.
Procesi i vlerësimit do të përfshijë konsultime me institucionet shëndetësore, shoqatat profesionale, komunitetin akademik, organizatat e pacientëve dhe palë të tjera relevante, si dhe vizita në terren, takime teknike, intervista dhe shqyrtim të politikave dhe praktikave përkatëse. Gjetjet do të shërbejnë si bazë për forcimin e menaxhimit të cilësisë, llogaridhënies dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve shëndetësore.
“OBSH e mirëpret angazhimin e fuqishëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve kombëtarë për ta vendosur cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe sigurinë e pacientëve në qendër të reformave shëndetësore. Cilësia është thelbësore për arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore, forcimin e besimit të publikut dhe garantimin që investimet në shëndetësi të sjellin përfitime konkrete për qytetarët. OBSH mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Maqedoninë e Veriut në shndërrimin e konstatimeve të këtij vlerësimi në veprime praktike që do të forcojnë sistemin shëndetësor dhe do të përmirësojnë përvojën e pacientëve”, deklaroi dr. Akim Ali, përfaqësues i OBSH-së në vend.
Gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, dr. Zhoao Breda ndau përvoja dhe shembuj ndërkombëtarë nga vendet e Rajonit Evropian të OBSH-së që kanë zbatuar me sukses politika kombëtare për cilësinë dhe programe për përmirësimin e saj.
“Cilësia e kujdesit shëndetësor është një nga shtytësit më të fuqishëm për rezultate më të mira shëndetësore dhe sisteme shëndetësore më të forta. Duke realizuar këtë vlerësim gjithëpërfshirës, Maqedonia e Veriut po demonstron lidership dhe përkushtim të qartë ndaj përmirësimit të vazhdueshëm. Ky proces nuk është vetëm një vlerësim i gjendjes aktuale, por edhe një mundësi për të identifikuar fusha konkrete veprimi. OBSH është krenare që mbështet vendin në zhvillimin e një kornize më të fuqishme kombëtare për cilësinë, avancimin e sigurisë së pacientëve dhe përfshirjen e qytetarëve, si dhe në ndërtimin e një kulture të të nxënit në sistemin shëndetësor”, deklaroi dr. Zhoao Breda.
Këto përpjekje të përbashkëta do të ndihmojnë në vendosjen e një kornize më të fortë për cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe sigurinë e pacientëve, do të mbështesin politikat dhe reformat e ardhshme dhe do të përshpejtojnë përparimin drejt një sistemi shëndetësor më efektiv, më llogaridhënës dhe të orientuar drejt nevojave të pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë, Zyra e OBSH-së në Maqedoninë e Veriut dhe Zyra e OBSH-së për Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Sigurinë e Pacientëve në Athinë riafirmojnë përkushtimin e tyre të përbashkët që cilësia dhe siguria e pacientëve të bëhen karakteristika të dallueshme të kujdesit shëndetësor në vend, me synimin që çdo qytetar të marrë kujdesin e sigurt, efektiv dhe cilësor që meriton.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume