Sot në 8 qershor, Partia Socialiste në Shkodër feston 35-vjetorin e themelimit.

Këtë ditë, socialistët kanë vendosur ta kujtojnë me një organizim të veçantë.

Në kryeqendrën e veriut, është i pranishëm kryeministri Edi Rama. Përpos kryeministrit, të pranishëm janë deputetë aktualë të qarkut, si dhe personalitete të PS të dala ndër vite nga ky qytet.

Paralelisht me eventin e socialistëve, në Shkodër po mbahen edhe protesta. Kreu i qeverisë po mban fjalim lart në Kala. Ai mban të veshur dhe një bluzë me flamingo. Ndërsa, poshtë Kalasë protestojnë qindra qytetarë kundër ndërtimit të projektit në Zvërnec, si dhe atij në Rrjoll, raporton gazetarja e Klan News Emi Kalaja.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se sot, PS nuk ka asnjë arsye pse të ndihet e lodhur.

“PS sot është një motor i fuqishëm, që sa vjen e bëhet një forcë politike e madhe. Shumica e shqiptarëve është e qartë dhe e vendosur për të dërguar deri në fund misionin historik, që të jemi në familjen e madhe evropiane. Kjo shumicë nuk është se është e kënaqur me gjithçka që ndeshet në jetën e përditshme, nuk është se nuk shikon problemet e përditshme. Por kemi edhe ata persona, që kërkojnë të vënë stërkëmbësha. Shumica sheh atë që ne kemi bërë për Shqipërinë, për zonat tona urbane e rurale, sheh atë që kemi bërë për flamurin tonë kombëtar”, tha Rama.

Kritikoi më pas edhe protestuesit. Tha se u bënë ambientalistë krejt papritur. Rama shtoi se PS nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar.

“Është e lehtë që të mbash një flamur dhe ta valëvitësh. Çfarë nuk dëgjon nga këta “patriotë”. Njëri thoshte që Rama ka ulur qëllimisht çmimin e biletave të avionëve, që shqiptarët të ikin nga atdheu. Çfarë duan këta, që të rrisim çmimet e biletave të avionëve? Këta kërkojnë ta shpëtojnë Shqipërinë nga unë e nga ju. Ku ishin këta, kur vriteshin zogjtë dhe kafshët, që janë specie të mbrojtura? Ku ishin këta, kur pyjet ishin bërë vendi, ku dëgjohej vetëm një zog, sharra elektrike?

Ku ishin këta? Nuk e kam për ata që në atë kohë ishin 10 vjeç, por e kam për ata që papritur u bënë ambientalistë. Papritur morën vesh se paska një plan djallëzor për ta shitur Shqipërinë. Harrojnë se kanë përballë PS-në, që nuk e ka tradhtuar kurrë interesin kombëtar. Këtu kalonin kontrabanda, që furnizonte naftën për makinerinë shkatërruese të Millosheviçit. Pala tjetër e shiste interesin kombëtar. Ata që quajnë PS-në tradhtare, janë pa din e iman. Atdheu nuk është për t’u mbajtur në gojë, por në zemër e në mendje. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, por shpëtimtarët”, u shpreh Rama.

Foli edhe për flamingot. U shpreh se më herët, shpendët i priste pushka. Rama deklaroi se PS nuk mund të humbasë kohë me pallavra, teksa ironizoi edhe influencerat.

“Sikur flamengo të tregojë historinë e tij, do tregojë sesi e priste pushka. Sikur pelikani kaçurrel të fliste, do të tregonte tmerrin që ka përjetuar. Përpara ndalimit të gjuetisë, edhe pelikani kaçurrel ishte në shënjestër. Ne sot mbrojmë shpendët. Sikur të shikoheshin planet satelitore të Shqipërisë, sigurisht që do shikohej se pyjet shumë më shumë janë sot se dikur. Çfarë shkatërruam ne? Po me Paketën e Maleve çfarë kanë këta?

Njerëzit do ndërtojnë në tokën e gjyshërve të tyre. S’mund të humbasim kohë me pallavra. Pashë një influencere. Thosht, ‘unë bëj selfie në Paris’. Ata që shkojnë në protestë, thonë ishalla i këputet lidhësja dhe ta shohim tamam flamingon. Kjo influencerja tjetër, para se të fliste për flamingot, nxirte kremra fytyre. Mua kështu m’u dukën së paku”, u shpreh Rama.

Edhe njëherë insistoi se projekti 4 miliardë euro në Zvërnec i duhet popullit shqiptar.

“Ne nuk mund të vazhdojmë që të jemi pas Malit të Zi, duke mos pranuar projekte të rëndësishme për ekonominë tonë. Këta që protestonin edhe për stadiumin Air Albania dhe kur u bë, pastaj vinin duke mbuluar fytyrën, se e kishin kritikuar si projekt. Projektin po e bëjnë ekspertë ndërkombëtarë, jo influencerë dhe blogerë. Duhet që gjithë bashkë, të sjellim në Shqipëri sa më shumë investime. Sot nuk jemi të nëpërkëmbur nga Europa, por çdokush do ndihet qytetar i barabartë i Bashkimit Europian”, përfundoi kryeministri.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume