Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili jeton në Hungari pasi fitoi azil politik, ka reaguar ndaj pretendimeve të bëra së fundmi nga Aleksandar Malenko lidhur me arratisjen e tij nga vendi.

Gruevski i ka hedhur poshtë si të pavërteta pretendimet se ditët e fundit para largimit të tij nga Maqedonia kishte qëndruar në një hotel në Ohër me fëmijët dhe ish-bashkëshorten e tij.

“Asnjëherë në jetën time nuk jam takuar dhe nuk kam biseduar me Aleksandar Malenkon, e aq më pak ai ka qenë ndonjëherë temë serioze për çfarëdo qoftë.

Është gënjeshtër se ditët e fundit para largimit tim nga Maqedonia kam qëndruar me fëmijët e mi dhe ish-bashkëshorten në hotelin që ai e përmendi në Ohër, për të cilin foli në një nga podkastet në Maqedoni. Kjo mund të vërtetohet lehtësisht përmes pranisë së tyre në shkollë dhe në vendin e punës në atë periudhë, si dhe nga numri i madh i takimeve që kam pasur në ato ditë në Shkup.

Në të njëjtin hotel kemi qëndruar rreth shtatë muaj më herët gjatë atij viti, gjatë festave të Pashkëve, prej nga unë u largova disa orë para të tjerëve për shkak të angazhimeve të mia.

Aty mësova se hoteli ishte në pronësi të babait të bashkëshortes së tij të atëhershme, pasi më përcollën informacionin se Malenko më kishte kërkuar gjatë mëngjesit, të cilin atë ditë unë e kisha anashkaluar.

Edhe pse e gjithë historia e sajuar nga ky person, i cili pretendon se ka qenë aktivist i të ashtuquajturit “Revolucioni Laraman”, është jo logjike në shumë aspekte, dhe megjithëse me përjashtime të rralla nuk praktikoj t’u përgjigjem pothuajse përditë sulmeve dhe gënjeshtrave që drejtohen ndaj meje nga anë të ndryshme, megjithatë, duke pasur parasysh se padrejtësisht janë përmendur anëtarët e ish-sigurimit tim personal, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me largimin tim nga Maqedonia, vendosa të reagoj me këtë sqarim”, shkroi Gruevski.