Insekticidi Metomil, i njohur në publik si Lanate, u gjet në copa sallami, ka vërtetuar Instituti i Mjekësisë Ligjore. Copat e sallamit u gjetën në lagjen Rasadnik në Kisella Voda në afërsi të një këndi lojërash për fëmijë, njoftuan nga NP “Llajka”, transmeton Portalb.mk.

Sipas kësaj ndërmarrjeje ushqimi i dyshimtë u vu re nga fëmijët, të cilët i informuan prindërit e tyre, ndërsa më pas mostrat u dërguan për analiza toksikologjike.

“Bëhet fjalë për një insekticid shumë toksik, i ndaluar prej kohësh për përdorim dhe import në vendet e BE-së dhe në Maqedoni për shkak të toksicitetit të tij të madh dhe mundësisë së abuzimit, kryesisht me qëllim helmimin e kafshëve”, njoftuan nga NP “Llajka”.

Nga NP “Lajka” gjithashtu përkujtojnë se në të njëjtën lagje më 15 maj u regjistrua helmim masiv i qenve dhe maceve shtëpiake dhe endacake me ushqim të helmuar të gjetur edhe pranë ndërtesave të banimit.

“Bëhet fjalë për një helm nga i cili kafshët vdesin në agoni, ndërsa i rrezikshëm është edhe për njerëzit në rast se kapërdihet, thithet ose vjen në kontakt me lëkurën”, thonë nga NP “Llajka”.

Nga atje paralajmërojnë se shpërndarja e substancave helmuese në zonat publike përbën një kërcënim serioz jo vetëm për kafshët, por edhe për qytetarët, sidomos për fëmijët që mund të vijnë në kontakt me to.

Nga NP “Llajka” u bëjnë thirrje institucioneve kompetente të marrin masa për t’i zbuluar autorët dhe për të vërtetuar se si blihet dhe importohet insekticidi i ndaluar në vend. Ata përkujtojnë se për shpërndarjen ose përdorimin e substancave të tilla helmuese janë paraparë dënime me burg në përputhje me nenin 232 të Kodit Penal për manipulim, prodhim dhe tregti të paautorizuar të materieve të rrezikshme.

“Në shtetet moderne helmimi me Lanate nuk trajtohet më vetëm si keqpërdorim me pesticidet, por edhe si krim ekologjik, si vepër penale dhe rrezik për shëndetin publik, ndërsa në Maqedoni tashmë ka shembuj të pasojave fatale për njerëzit që kanë rënë në kontakt me këtë insekticid”, thuhet në deklaratë.

Nga NP “Llajka” u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse vënë re ushqim të dyshimtë me një substancë si pluhur të bardhë të mos e prekin atë pa mbrojtje, t’i largojnë menjëherë fëmijët dhe kafshët, ta njoftojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe NP “Lajka”, ta dokumentojnë vendndodhjen nëse është e mundur dhe t’i informojnë qytetarët e tjerë që të paralajmërohen në kohë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume