Profesorë të Universitetit të Tetovës ndër 10 shkencëtarët më të cituar në shkencat humane në Maqedoninë e Veriut
Universiteti i Tetovës ka shënuar një arritje të rëndësishme akademike, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si një nga qendrat kryesore të kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë në vend. Sipas renditjes së publikuar nga Academic Ranking of Balkan Universities (ARBU), katër profesorë të Universitetit të Tetovës janë përfshirë në mesin e dhjetë shkencëtarëve më të cituar në fushën e shkencave humane në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë listë të studiuesve me ndikimin më të madh akademik renditen: Prof. Dr. Isa Spahiu, Prof. Dr. Rabije Murati, Prof. Dr. Arburim Iseni dhe Prof. Dr. Ardita Ceka. Kjo arritje reflekton punën e tyre shumëvjeçare në kërkimin shkencor, angazhimin në projekte akademike, si dhe kontributin e vazhdueshëm në prodhimin dhe promovimin e dijes shkencore.
Citueshmëria shkencore konsiderohet një nga indikatorët më të rëndësishëm për matjen e ndikimit të studiuesve në komunitetin akademik. Prania e katër profesorëve të Universitetit të Tetovës në mesin e dhjetë më të cituarve në vend, dëshmon jo vetëm cilësinë e punës së tyre kërkimore, por edhe reputacionin në rritje të universitetit në hapësirën akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky rezultat është vlerësim i drejtpërdrejtë për përkushtimin e Universitetit të Tetovës ndaj zhvillimit të kërkimit shkencor, mbështetjes së stafit akademik dhe promovimit të standardeve të larta në arsim dhe shkencë. Njëkohësisht, ai dëshmon se investimi në kërkim, publikime dhe bashkëpunim akademik vazhdon të japë rezultate konkrete dhe të matshme.
Arritja e profesorëve të Universitetit të Tetovës është motiv shtesë për brezat e rinj të studiuesve dhe dëshmi se puna e palodhur, profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj shkencës vlerësohen në nivelin më të lartë akademik.
Me këtë sukses, Universiteti i Tetovës forcon më tej pozitën e tij si institucion lider në arsimin e lartë shqip dhe si një qendër e rëndësishme e dijes në rajon.