Tifozëve të kombëtares së Botërorit u ndalohet hyrja në SHBA
Tifozëve të Bregut të Fildishtë u është ndaluar hyrja në SHBA për Kupën e Botës, sipas presidentit të komitetit kombëtar të tifozëve.
Pas muajsh pritjeje, Kupa e Botës 2026 ka nisur zyrtarisht, me ndeshjen hapëse mes nikoqirëve Meksikës dhe Afrikës së Jugut në orën 21:00 më 11 qershor.
Turneu i vitit 2026 do të zhvillohet në gjithë Amerikën e Veriut, me SHBA-në, Meksikën dhe Kanadanë si vende pritëse.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 48 ekipe në 104 ndeshje, me Kanadanë dhe Meksikën që do të presin nga 13 ndeshje secila, ndërsa SHBA do të organizojë 78 ndeshje, përfshirë finalen më 19 korrik në stadiumin “MetLife” në New York.
Megjithatë, para fillimit të turneut ka pasur shumë polemika lidhur me tifozët që tentojnë të hyjnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet, pasi disa janë refuzuar për shkak të problemeve me vizat.
Një nga rastet më të përfolura ishte kur gjyqtari somalez Omar Artan u ndalua të hynte në SHBA, ndërsa edhe disa pjesëtarë të stafit të ekipit të Iranit janë refuzuar në hyrje.
Në një deklaratë për “SPORTbible”, FIFA tha se “nuk është e përfshirë në proceset e imigracionit të vendit pritës, përfshirë dhënien e vizave”.
Tani, Julien Kouadio Adonis, president i Komitetit Kombëtar të Mbështetësve të Elefantëve (CNSE), ka deklaruar se udhëtimet e një numri të vogël tifozësh nga vendi janë anuluar, pasi SHBA “nuk dëshiron” praninë e tyre.
“Mbështetësit e kanë anuluar udhëtimin sepse qeveria amerikane nuk dëshiron të shohë tifozë nga disa vende, përfshirë Bregun e Fildishtë, në territorin e saj. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta me ne, duke thënë se nuk duan t’i shohin tifozët tanë,” tha Kouadio për “AFP”.
“Kjo situatë na dhemb thellë, sepse na pengon të përmbushim detyrën tonë të shenjtë, që është të mbështesim ekipin tonë.”
Në mars, Kouadio kishte deklaruar se shpresonte që rreth 500 tifozë të udhëtonin drejt Amerikës për të ndjekur ndeshjet e Bregut të Fildishtë në Grupin E.
Bregu i Fildishtë e nis turneun kundër Ekuadorit më 15 qershor në Philadelphia, më pas luan kundër Gjermanisë në Toronto më 20 qershor, dhe përfundon fazën e grupeve kundër Curaçaos në Houston.