Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, pritet të mbahet në Gjenevë të Zvicrës, raporton CNN duke iu referuar tri burimeve.

Nënshkrimi mund të bëhet të dielën, përcjell Reporteri.net.

Presidenti amerikan Donald Trump të enjten foli për një “marrëveshje të shkëlqyer” që mund t’i japë fund luftës me Iranin, duke sugjeruar se ajo do të finalizohej në ditët në vijim.

Trump tha se pret që së shpejti të mbahet një ceremoni nënshkrimi për dokumentin, ndoshta në Evropë, ku do të marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti JD Vance. Megjithatë, zyrtarët iranianë ende nuk kanë konfirmuar se është arritur një marrëveshje.

Sot ndërkohë ka deklaruar se lufta me Iranin ka përfunduar.

CNN më herët zbuloi edhe detaje të marrëveshjes.

Marrëveshja e përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit do të zgjasë armëpushimin, do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të hapë rrugën për më shumë bisedime mbi programin bërthamor të Iranit.

Këto janë disa nga pikat kryesore të marrëveshjes:

-Një armëpushim 60-ditor “në të gjitha frontet”, përfshirë Libanin, do të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

-Ngushtica e Hormuzit do të rihapet menjëherë, dhe Irani nuk do të vendosë tarifa për kalimin. Kjo garanton rrjedhën e lirë të energjisë dhe mallrave tregtare. Trafiku në këtë rrugë ujore do të rikthehet në nivelet para luftës 30 ditë pas nënshkrimit.

-Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të hiqet dhe do të ketë një lehtësim të pjesshëm të sanksioneve, “bazuar në ecurinë e marrëveshjes dhe angazhimin e vazhdueshëm me mirëbesim”, megjithëse nuk përcaktohet një datë konkrete për heqjen e sanksioneve.

-Marrëveshja “plotëson të gjitha kërkesat e SHBA-së lidhur me çështjen bërthamore”, përfshirë zotimin e Iranit për të mos pasur armë bërthamore, si dhe trajtimin e çështjes së rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume