KF Shkëndija me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin brazilian Rafael de Freitas Silva, i cili është përforcimi i parë i skuadrës në këtë afat kalimtar.
Pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, futbollisti 26-vjeçar firmosi kontratë dyvjeçare me klubin dhe menjëherë iu bashkua ekipit në përgatitjet për sezonin e ri.
Rafael de Freitas Silva është një futbollist polivalent i repartit të mesfushës, me aftësi për të luajtur në pozitat defanzive, qendrore dhe ofanzive, duke i ofruar stafit teknik më shumë alternativa në organizimin e lojës.
Braziliani vjen nga skuadra e Tiranës, ku aktivizohej gjatë dy sezoneve të fundit, ndërsa më herët ka luajtur edhe në Portugali dhe në vendlindjen e tij, Brazil.
Me përvojën dhe cilësitë e tij, Rafael pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën kuqezi në sfidat që e presin në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë Rafael de Freitas Silvës mirëseardhje në familjen kuqezi dhe shumë suksese me fanellën e Shkëndijës.