Kampioni i Kosovës Drita ka mësuar kundërshtarin edhe për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

“Intelektualët” të martën mësuan se do të përballen me Kauno Zalgiris në rrethin e parë, kurse në rast triumfi – atëherë do të jenë përballë fituesit të sfidës Kalksvik – Attert Bissen.

Të dy skuadrat në letër nuk janë më të mira se Drita, andaj kampioni i Kosovës ka rastin e rrallë për të shkuar shumë më larg këtë vit.

Sidoqoftë, objektivi i “Intelektualëve” aktualisht është Zalgiris, me trajnerin Zekirija Ramadani që deklaroi të martën se nuk e njeh, por kanë kohë për t’u përgatitur.

“Një ekip që nuk e njohim, por kemi kohën e duhur për ta përcjellë kundërshtarin dhe për ta përgatitur ekipin tonë në mënyrën më të mirë për t’u përballur me këtë ekip”.

“Një përparësi e shoh te kundërshtari, sepse atje luhet kampionati dhe padyshim që ata janë në një formë më të mirë se ne, mirëpo kur bëhet fjalë për këtë kompeticion, ndonjëherë edhe freskia është shumë e mirë”, deklaroi ai.

Kujtojmë, Drita aventurën evropiane e nis më 7 ose 8 korrik në Lituani, ndërsa ajo kthyese një javë më vonë./Telegrafi/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume