Temperatura mbi mesataren, veçanërisht në luginën e Vardarit, Pellgun e Shkupit, Pellagoni dhe pjesët lindore të vendit, priten gjatë verës, e cila do të karakterizohet nga valë të shumta dhe intensive të të nxehtit, por edhe nga paqëndrueshmëri atmosferike të herëpashershme, si dhe jostabilitet lokal intensiv.

Profesori i meteorologjisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematikore dhe anëtar i Këshillit të Sigurisë, dr. Vlado Spiridonov, në analizën e tij më të re për këtë verë thekson se gjatë periudhave më të nxehta temperaturat mund të arrijnë lokalisht mbi 40°C, ndërsa në zonat më të ekspozuara nuk përjashtohen vlera deri në 42°C, madje edhe më të larta.

Në mjediset urbane, veçanërisht në Shkup, efekti i temperaturave të larta do të jetë i theksuar edhe gjatë natës për shkak të sipërfaqeve të asfaltuara, vegjetacionit të reduktuar dhe dendësisë urbane, gjë që mund të ndikojë në shëndetin e njerëzve, veçanërisht te ata me sëmundje kardiovaskulare dhe respiratore, si dhe të shkaktojë çrregullime të gjumit dhe ulje të aftësisë për punë dhe produktivitet.

Spiridonov, në një deklaratë për MIA, shpjegon se këto zhvillime janë rezultat i El Ninjos (El Niño), i cili përfaqëson një nga faktorët më të rëndësishëm të ndryshimit klimatik në nivel global.

“Ndikimi i tij zakonisht lidhet me forcimin e ekstremeve të motit dhe klimës, duke përfshirë valë më intensive të të nxehtit, periudha të zgjatura thatësire, por edhe reshje intensive dhe përmbytje në rajone të caktuara. Përveç kësaj, këto anomali klimatike ndikojnë në bujqësi, burimet ujore, energjetikë, ekosistemet dhe shëndetin e popullsisë. Në kontekstin më të gjerë rajonal, Evropa Juglindore hyn në verë me probabilitet të shtuar për temperatura mbi mesataren, ndërsa Copernicus Climate Change Service -C3S (Shërbimi për Ndryshime Klimatike Kopernikus) e veçon këtë rajon si një nga më të nxehtit në Evropë gjatë verës së vitit 2026. Kjo tregon më tej për intensifikimin e ekstremeve të të nxehtit, periudha më të gjata thatësire dhe paqëndrueshmëri më të madhe atmosferike”, thekson profesori Spiridonov.

Ai thotë se Maqedonia, për shkak të pozicionit të saj specifik gjeografik dhe kombinimit të pellgjeve, masiveve malore dhe ndikimeve mesdhetare-kontinentale, është një zonë ku efektet e nxehtësisë ekstreme mund të jenë edhe më të theksuara.

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) njoftoi se ekziston rreth 80 për qind probabilitet për zhvillimin e El Ninjos gjatë periudhës qershor-gusht, ndërsa për periudhën shtator-dhjetor probabiliteti rritet në rreth 90 për qind. Parashikimet aktuale sugjerojnë se fenomeni ka shumë gjasa të arrijë intensitet mesatar deri në të fortë. WMO thekson se parashikimet në kohë dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm janë kyçe për zvogëlimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e popullsisë, veçanërisht në sektorë si bujqësia, energjetika dhe shëndeti publik.

Në këtë kontekst, profesori Spiridonov, duke dashur të japë një kontribut personal me analizën e tij të specializuar për Maqedoninë, thotë se pritet që vera të karakterizohet nga periudha më të gjata thatësie.

“Reshjet e pakta dhe temperaturat e larta do të çojnë në ulje të lagështisë së tokës, rritje të avullimit dhe stres më të madh hidrik. Sipas llogaritjeve, vlera mesatare e SPI – Standardized Precipitation Index (Indeksi Standard i të Reshurave) është afërsisht -1.5, çka tregon për thatësirë mesatare deri intensive”, thuhet në analizë.

Rrezik nga zjarret pyjore – më kritike janë lugina e Vardarit, Tikveshi, rajoni i Gjevgjelisë-Valandovës dhe rajoni i Strumicës

Në këto kushte atmosferike, rreziku nga zjarret pyjore dhe të vegjetacionit rritet ndjeshëm dhe mund të kalojë në nivel të lartë deri ekstrem, veçanërisht në zonat ku përputhen disa faktorë të pafavorshëm klimatikë. Veçanërisht kritike janë lugina e Vardarit, Tikveshi, Pellgu i Gjevgjelisë-Valandovës, rajoni i Strumicës dhe pjesë të Maqedonisë Lindore, ku karakteristikat e relievit e vështirësojnë edhe më shumë qasjen dhe ndërhyrjen.

“Më të cenueshme janë rajonet me thatësirë të theksuar dhe vlera negative të SPI-së, ku toka dhe vegjetacioni tashmë janë të rraskapitura për një kohë të gjatë nga mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta. Faktorët kryesorë që e rrisin rrezikun nga zjarret përfshijnë deficitin e zgjatur të reshjeve, temperaturat jashtëzakonisht të larta dhe valët e përsëritura të të nxehtit, të cilat çojnë në tharje të përshpejtuar të vegjetacionit dhe ulje të lagështisë së tij deri në nivele kritike. Për më tepër, lagështia e ulët relative e ajrit në kombinim me erërat lokale më të forta krijon kushte për përhapje të shpejtë të flakëve dhe lëvizje të pakontrolluar të fronteve të zjarrit”, shpjegon profesori Spiridonov.

Verë e thatë, por edhe mot i keq afatshkurtër me mundësi për reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje

Megjithëse parashikimet tregojnë se na pret një verë e thatë me temperatura mbi mesataren, herë pas here paralajmërohen edhe fatkeqësi natyrore afatshkurtra, por intensive, të cilat në disa vende mund të shkaktojnë edhe përmbytje. Siç shpjegon Spiridonov, këto dukuri krijohen në kushte të shtresave të poshtme shumë të nxehta të atmosferës, energjisë së akumuluar dhe paqëndrueshmërisë lokale.

“Këto sisteme zakonisht manifestohen si episode të shkurtra, por intensive moti, të shoqëruara me reshje të dendura, breshër dhe shpërthime të forta ere. Në kontekstin gjeografik të Maqedonisë, këto dukuri kanë potencial të shtuar për t’u përshkallëzuar shpejt në përmbytje rrëke, veçanërisht për shkak të strukturës së relievit dhe grumbullimit të shpejtë të ujërave nga zonat malore dhe kodrinore drejt pellgjeve. Pas periudhave të gjata të thata, toka e humb aftësinë absorbuese, gjë që rrit edhe më shumë rrjedhjen sipërfaqësore dhe rrezikun nga valët e papritura të ujit. Pasojat mund të përfshijnë përmbytje lokale në zonat urbane dhe rurale, procese erozive, rrëshqitje dheu dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore, asaj ujësjellëse dhe bujqësore. Edhe pse këto dukuri janë të kufizuara në hapësirë, intensiteti i tyre dhe zhvillimi i shpejtë kërkojnë monitorim të vazhdueshëm të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe sisteme të hershme paralajmërimi”, thuhet në analizën e profesorit Spiridonov.

Këto kushte atmosferike paraqesin sfidë edhe për bujqësinë dhe energjetikën. Priten rendimente më të ulëta dhe stres për kulturat bujqësore, si dhe nevojë më e madhe për ujitje, gjë që do të rëndojë burimet ujore. Për shkak të periudhës së thatë dhe prurjeve më të ulëta hidrologjike, pritet gjithashtu rritje e konsumit të energjisë elektrike.

Analiza shkencore dhe analitike e profesorit Spiridonov është përgatitur në përputhje me paralajmërimet për zhvillimin e fenomenit El Ninjo gjatë verës. Ai thekson se kjo analizë është e dedikuar para së gjithash për informim më të mirë të qytetarëve dhe institucioneve, me qëllim që të ofrojë një vlerësim më të thelluar të kushteve të mundshme meteorologjike dhe klimatike, si dhe të tërheqë vëmendjen ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve potenciale që mund të prekin Maqedoninë në muajt e ardhshëm. Analiza është gjithashtu një kontribut i profesorit Spiridonov ndaj rekomandimeve dhe përfundimeve të debatit kombëtar „Ndryshimet klimatike – rreziqe dhe sfida“, i mbajtur së fundmi me iniciativë të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume