Nëse hapni kronikën e zezë të mediave shqiptare në çdo ditë të zakonshme të javës, titujt që bien në sy kanë një lloj ritmi tmerrësisht monoton të tipit: “U vra me atentat biznesmeni X.”, “U mor peng në mes të rrugës biznesmeni Y”, “U arrestua nga SPAK-u për pastrim parash biznesmeni Filan..” apo “Ekstradohet biznesmeni Fistëk i kërkuar për trafik ndërkombëtar droge nga DEA ”

Një europiani normal, fjala “biznesmen” i sjell ndërmend një sipërmarrës, një investitor, apo një inovator; dikë që krijon vende pune, menaxhon njerëz e procese të ndërlikuara, merr përsipër rreziqet e tregut.

Në Shqipëri, ky term shpesh emërton një kategori hibride mes oligarkut, trafikantit, sekserit politik dhe protagonistit të kronikës së zezë.

Në ekonomitë e zhvilluara, bizneset garojnë për certifikata cilësie apo çmime sipërmarrjeje; në Shqipëri, disa prej tyre marrin njoftime paraqitjeje nga SPAK-u ose “garojnë” ethshëm se kush nuk do të dalë në përgjimet e radhës.

Për vite me radhë na folën për kampionë të zhvillimit, vizionarë të ekonomisë së tregut dhe “histori suksesi”.

Na treguan godinat që ngriheshin drejt qiellit me arkitektët më të mirë në botë, vila e hotele që pushtonin bregdetin, koncesione, PPP, licenca ekskluzive dhe tendera me flamur kombëtar.

Na shiteshin si “investitorë vizionarë” këta djem të shkathtë, me dy klasë shkollë por të “bërë vetë”, që kishin nisur nga zeroja dhe sot po ndërtonin lagje e fshatra të tëra turistike.

Por më pas erdhën dosjet: SKY ECC, EncroChat, FBI, Europol, Eurojust, përgjimet, dëshmitë, hetimet, sekuestrimet dhe arrestimet. Tashmë fasada ka rënë plotësisht.

Sot, regjistri më i besueshëm i biznesit të madh shqiptar është SPAK-u dhe jo Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) apo Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).

Tashmë Dhoma e vërtetë e Tregtisë së Shqipërisë duhet konsideruar, përnjëmend, SPAK-u, sepse vetëm aty gjenden lidhjet e vërteta të pronësisë, ortakët e padukshëm, financuesit realë dhe burimet e vërteta të parasë.

Aty zbardhet qartësisht se si shumë nga “kapitalistët” tanë më të mëdhenj nuk janë gjë tjetër veçse ndërmjetësues të krimit të organizuar, pastrues të parave të narkotrafikut dhe përfitues të fondeve publike përmes tenderave të paracaktuar.

SPAK-u tregoi se pas shumë ngrehinave që shkojnë drejt qiellit apo projekteve turistike që kafshojnë pjesë nga parqet kombëtare në bregdet, shpesh nuk qëndron dora e fshehtë e tregut, por dora e përgjakur e krimit dhe firma e korruptuar e ndonjë zyrtari shtetëror që iu ka hapur rrugë.

Kjo nuk është më një rastësi statistikore sepse është bërë tashmë rutinë që termi “biznesmen” të shfaqet në të njëjtën fjali me trafik droge, vrasje me pagesë, tendera të manipuluar, leje ndërtimi të dyshimta dhe favore politike.

Shqipëria vazhdon ta quajë veten ekonomi kapitaliste, por gjithnjë e më shumë ngjan me një sistem ku akumulimi i kapitalit nuk vjen nga konkurrenca, talenti, produktiviteti, djersa apo inovacioni, por nga afërsia me pushtetin, kontrolli i territorit, dhuna e frika, privilegji politik dhe aftësia për të qarkulluar para me origjinë të errët.

Prandaj ndoshta është koha të heqim dorë nga eufemizmat dhe ta quajmë këtë sistem kaka-pipi-talizëm sepse nuk ka lidhje me kapitalizmin klasik. Poashtu protagonistë kryesorë të këtij sistemi nuk janë biznesmenë por meritojnë të quhen thjesht “pis-nesmenë”.

Kur sheh se si zyrtarë të lartë, drejtorë e deri te ish-ministra e më sipër përfundojnë në pranga apo nën akuzë thjesht sepse kanë bërë rrobaqepësin e ligjeve dhe licencave për këta ‘pis-nesmenë’ të natës e nëntokës, e kupton që shteti ka ngritur duart lart dhe është dorëzuar pa kushte përpara këtij modeli.

Këtu nuk ka më rregulla loje, nuk ka garë tregu; ka vetëm një rreshtim të detyruar të institucioneve pas interesit të atij që paguan më shumë ose që kërcënon më fort.

Ata që fërkojnë duart sa herë dëgjojnë se para të bollshme të krimit po hyjnë në Shqipëri janë, jë rastin më të mirë thjesht naivë dhe nuk kuptojnë si funksionon një ekonomi moderne. Në rastin më të keq, janë thellësisht imoralë, sepse zgjedhin të injorojnë koston reale që këto para i imponojnë shoqërisë.

Paratë e pista nuk hyjnë kurrë të vetme; ato sjellin me vete korrupsionin e administratës publike, kapjen e institucioneve, deformimin e konkurrencës dhe shtrembërimin e sinjaleve të tregut. Ato rrisin artificialisht çmimet e tokës, apartamenteve dhe qirave, duke i bërë të papërballueshme për qytetarët e zakonshëm, ndërsa nxjerrin jashtë loje sipërmarrësit e ndershëm që operojnë me rregulla normale tregu.

Dëmi më i madh që ky “krimo-talizm” po i bën Shqipërisë nuk është thjesht ligjor, institucional, estetik apo mjedisor (ndonëse po na shkatërrojnë çdo pëllëmbë të bukurisë natyrore nga Shkodra e gjer në Vlorë).

Dëmi më i madh është moral dhe strukturor sepse kultivon një kulturë pandershmërie ku pasuria nuk lidhet më me inovacionin, produktivitetin apo punën, por me afërsinë ndaj pushtetit e krimit dhe aftësinë për të lundruar në zonat gri të ligjit.

Kur një i ri shqiptar sheh se rruga e vetme për t’u bërë “biznesmen i madh” kalon nga kronika e zezë, nga përgjimet, nga dhuna ose nga servilizmi ekstrem ndaj partisë në pushtet, ai dorëzohet dhe emigron.

Biznesi i ndershëm, ai që paguan taksat dhe gjobat, ai që nuk ka teserë partie apo ushtarë me armë por ka vizion e punëtorë me kualifikim, katandiset me falimentim apo emigrim.

Kapitali i ndershëm nuk konkurron dot me paratë që nuk kanë kosto dhe hidhen pa vrarë shumë mendjen sepse vijnë nga trafiku i drogës a veprimtari kriminale. Inovacioni, komeptenca dhe eksperienca nuk konkurron dot me vendimet e Këshillit të Ministrave të qepura me porosi sipas masës trupore të klientit të radhës.

Kështu, përfitimi afatshkurtër monetar blihet me një kosto afatgjatë shumë më të lartë ku përfshihet erozioni i shtetit ligjor, dobësimi i ekonomisë së tregut dhe shkatërrimi i besimit se suksesi mund të arrihet ndershmërisht.

Në këtë kuptim, paratë e pista jo që nuk janë karburant për zhvillimin por faktikisht janë një acid që gërryen ngadalë themelet institucionale dhe morale mbi të cilat ndërtohet një ekonomi moderne e zhvilluar.

Kapitalizmi i vërtetë nuk është sundimi i të pasurve mbi të tjerët dhe as e drejta e dikujt për t’u pasuruar shpejt me çdo mjet e pa skrupuj. Kapitalizmi është një sistem rregullash ku pasuria krijohet përmes konkurrencës së lirë, inovacionit, investimit, sipërmarrjes dhe aftësisë.

Në një ekonomi tregu fiton ai që iu shërben më mirë konsumatorëve dhe jo ai që ka mik ministrin, deputetin, kryetarin e bashkisë apo kapon e bandës.

Biznesmeni i vërtetë është ai që pasurohet duke krijuar vlerë për të tjerët, duke shpikur produkte ose shërbime të reja, duke organizuar më mirë punën, duke investuar kapitalin e vet, duke punësuar e trajnuar njerëz, duke rritur produktivitetin, duke hapur tregje të reja, duke konkurruar ndershmërisht me rivalët dhe duke marrë përsipër rreziqe që të tjerët nuk guxojnë t’i marrin.

Prandaj na takon të tregojmë guxim e t’i thërrasim gjërat me emrin e tyre të vërtetë.

Ata që vriten nëpër atentate, ata që kapen me armë nëpër makina të blinduara dhe ata që pastrojnë paratë e krimit me leje ndërtimi në xhep, nuk janë elita biznesore e këtij vendi. Janë thjesht parazitët e një sistemi të kalbur.

Heronjtë e vërtetë janë ata sipërmarrës të ndershëm që mbijetojnë pavarësisht shkopinjve të pafund që iu vendosen në rrota nga shteti e krimi. SPAK-u ka bërë një punë të mirë duke na treguar tashmë skanerin e këtij tumori.

Por që ky vend të ketë kapitalizëm të vërtetë, nuk mjafton vetëm që prokurorët të arrestojnë “pis-nesmenët” e radhës.

Duhet që shoqëria, votuesit dhe ata pak sipërmarrës të ndershëm që kanë mbetur, të përmbysin vetë logjikën e këtij “krimotalizmi” që po na merr frymën. Përndryshe, ekonomia jonë do të vazhdojë të mbetet thjesht një shtojcë e kronikës së zezë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume