Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do të ishte “paksa e padrejtë” që Irani të mos zotërojë raketa balistike, nëse shtete të tjera në rajon kanë arsenale të ngjashme.
Duke folur para gazetarëve në Paris, Trump sugjeroi se Teherani mund të mbajë një kapacitet raketor proporcional me vendet e tjera të Lindjes së Mesme.
“Nëse vendet e tjera i kanë, është paksa e padrejtë që ata të mos kenë disa. Nëse Arabia Saudite, Katari dhe të tjerët kanë raketa, do të thosha se, në përpjesëtim relativ, kjo është në rregull”, deklaroi Trump.
Komentet e presidentit amerikan përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm nga qëndrimet tradicionale të Washingtonit, i cili prej vitesh ka kërkuar kufizimin e programit raketor iranian, duke e konsideruar atë një kërcënim për stabilitetin rajonal.
Trump konfirmoi gjithashtu se forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në rajonin e Gjirit Persik edhe pas marrëveshjes së arritur me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit gati katër-mujor.
“Ne do ta mbajmë Ushtrinë tonë në Gjirin Persik edhe për njëfarë kohe”, tha ai.
Deklaratat vijnë vetëm pak ditë pasi Washingtoni dhe Teherani arritën një marrëveshje paqeje që i dha fund përshkallëzimit ushtarak mes dy vendeve, ndërsa administrata Trump po përpiqet të sigurojë zbatimin e angazhimeve të marra nga Irani në fushën bërthamore dhe të sigurisë rajonale.
Qëndrimi i Trump për raketat balistike pritet të ngjallë reagime në Izrael dhe te aleatët tradicionalë të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, të cilët prej kohësh kanë kërkuar kufizime të forta ndaj programit raketor iranian.