Mickoski: Shteti është afër vendimit për ta financuar vetë Çebrenin dhe Galishten, konturet e para deri në vitin 2037
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se shteti është pranë marrjes së një vendimi strategjik për financimin dhe realizimin e projektit energjetik Çebren dhe Galishte përmes SHA ESM.
Në një intervistë për podcastin “Ku janë paratë”, Mickoski tha se drejtuesit e ESM-së dhe Ministria e Energjetikës po punojnë për krijimin e një sindikate ndërkombëtare financiare, e cila do të siguronte fondet e nevojshme për realizimin e projektit.
“Jemi shumë afër marrjes së një vendimi që shteti, përmes ESM-së, ta financojë dhe ta realizojë këtë projekt. Ai është i rëndësishëm jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, hidrocentralet Çebren dhe Galiçte kanë rëndësi strategjike për shkak të ndryshimeve klimatike, sigurimit të rezervave të ujit, zhvillimit të bujqësisë dhe potencialit turistik të rajonit.
Ai theksoi se këto akumulacione do të shërbenin edhe si “bateri energjetike”, duke ndihmuar në balancimin e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike.
Mickoski sqaroi se financimi përmes ESM-së nuk do të rëndonte drejtpërdrejt deficitin buxhetor, ndërsa projekti konsiderohet me normë të lartë kthimi dhe me vlerë të madhe ekonomike për vendin.
Kryeministri bëri të ditur se tashmë kanë nisur konsultimet me kompanitë ndërtimore vendase për të vlerësuar kapacitetet e tyre në realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, me synimin që sa më shumë mjete të mbeten në ekonominë e vendit.
Nëse procedurat ecin sipas planit, ai pret që projekti të realizohet sipas modelit “Yellow FIDIC”, ndërsa konturet e para serioze të hidrocentraleve të jenë të dukshme në periudhën 2035-2037.
“Pres që konturet e para më serioze të projektit të shfaqen në intervalin 2035-2037”, deklaroi Mickoski.TS