Ish-futbollisti i KF Shkëndija dhe përfaqësues i grupit nga Tetova, Fatih Huseini, ka shprehur falënderim publik për Veteranët e Futbollit të KF Llapit dhe qytetin e Podujevës për ftesën dhe mikpritjen në aktivitetin përkujtimor kushtuar tre Dëshmorëve të Kombit, Kujtim Aliu, Milazim Berisha dhe Vllaznim Emini informon Tetovasot.
Në mesazhin e tij, Huseini theksoi se pjesëmarrja në këtë organizim ishte një nder i veçantë për delegacionin nga Tetova, duke vlerësuar lart rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për dëshmorët që sakrifikuan për lirinë e kombit.
“Është nder dhe privilegj për ne që të jemi pjesë e këtij organizimi me vlera të larta kombëtare, duke nderuar veprën dhe sakrificën e dëshmorëve tanë, të cilët mbeten frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”, ka theksuar Huseini.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për mikpritjen e ngrohtë dhe respektin e treguar nga Veteranët e KF Llapit dhe qytetarët e Podujevës, duke theksuar se kjo dëshmon vlerat e larta njerëzore dhe sportive që i karakterizojnë ata.
Sipas Huseinit, aktivitetet e tilla jo vetëm që ruajnë kujtesën historike, por edhe forcojnë lidhjet sportive, shoqërore dhe kombëtare mes shqiptarëve në trojet etnike.
Në fund, ai ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi dhe miqësia mes Tetovës dhe Podujevës të vazhdojnë edhe në të ardhmen përmes organizimeve të ngjashme sportive dhe përkujtimore.

Postimi i plotë:

FALËNDERIM

Në emrin tim personal dhe të gjithë pjesëmarrësve nga qyteti i Tetovës, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për Veteranët e Futbollit të KF Llapit dhe qytetin e Podujevës për ftesën e bërë në këtë aktivitet të veçantë përkujtimor kushtuar tre Dëshmorëve të Kombit Kujtim Aliu,Miilazim Berisha dhe Vllaznim Emini.

Ishte nder dhe privilegj për ne që të jemi pjesë e këtij organizimi me vlera të larta kombëtare, duke nderuar veprën dhe sakrificën e dëshmorëve tanë, të cilët mbeten frymëzim i përhershëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Një falënderim i veçantë shkon për mikpritjen e ngrohtë, respektin dhe përkushtimin që na u ofrua gjatë gjithë qëndrimit tonë në Podujevë. Kjo mikpritje dëshmoi edhe një herë vlerat e larta njerëzore dhe sportive që karakterizojnë qytetin tuaj dhe Veteranët e KF Llapit.

Si organizator nga Tetova, ndihem i privilegjuar dhe krenar për bashkëpunimin dhe miqësinë e ndërtuar mes nesh. Uroj që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke forcuar lidhjet tona sportive, shoqërore dhe kombëtare.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë,

Fatih Huseini

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume