Partia Levica ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke e cilësuar atë si një fitore të ligjit dhe aktivizmit qytetar informon Tetovasot.
Në një reagim publik, Levica vlerëson se vendimi dëshmon se qytetarët dhe nismat autentike lokale mbeten mbrojtja e fundit e interesit publik kur institucionet dështojnë. Partia shprehu mbështetje për iniciativën e qytetarit Darijan Sotirovski, e cila çoi në rihapjen e kësaj çështjeje.
Sipas Levicës, vendimi i vitit 2007 ishte në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, ndërsa përgjegjësinë për situatën aktuale e adreson te elitat politike të dy dekadave të fundit, të cilat, sipas tyre, kanë toleruar dhe mbështetur praktika të paligjshme.
Partia gjithashtu shprehu mirënjohje për Unionin e Luftëtarëve të LNÇ-së në Tetovë, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë antifashiste dhe historike të qytetit.
Në reagimin e saj, Levica kërkon nga Komuna e Tetovës që të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e emrave të mëparshëm të rrugëve.
“Koha e heshtjes dhe pazareve partiake në kurriz të së vërtetës historike ka përfunduar”, thuhet në reagimin e partisë, e cila premton se do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë qytetare që synon mbrojtjen e ligjshmërisë dhe interesit publik.TS