Nga Struga në Kumanovë shqiptarët e ndërgjegjshëm dhe atdhetarë kanë njëmijë arsye pse të protestojnë ditën e nesërme në Tetovë, kudër kthimit të emrit të qoftëlargut në sheshin e Tetovës si një përgjigje e dhunimit të vullnetit të shumicës jo vetëm në këtë qytet por edhe në mbarë vendin, duke i refuzuar ato rrangulla të një regjimi të perënduar.

Një emër ky që i sjell neveri të burgosurve të ndërgjegjes kombëtare dhe gjeneratave të vjetra, si një kujtimi i hidhur për satrapin dhe të kaluarën tonë gjatë represionit të madh dhe të shtypjes së shqiptarëve gjatë regjimit titist.

Emri i qoftëlargut Tito dhe i gjithë sojit dhe sorollopit të tij jugosllavë që janë vënduar me dhunë kundër vullnetit të shumicës në komunat me shumicë shqiptare nuk duhet të ketë më vend për ta.

Pakica sllave kanë të drejtën e tyre t’i mbajnë dhe t’i ruajnë ato relikte të së kaluarës së turpshme të shtypjes dhe diskriminimit etnik ndaj shqiptarëve ku ata janë shumicë, le të ngazëllehen e le të përloten nga malli për kohët e arta të “vëllazërim-bashkimit” që vetëm bashkim e vellazërim nuk ishte, por shtypje dhe persekutim ndaj shqiptarëve si komb autokton në trojet e veta.

Një fakt tjetër që ata i detyrohen regjimit titist është se ai pushtet i bëri këta shtet, por kjo nuk mund të jetë arsye për t’ia imponuar shqiptarëve si vendim despotik kundër vullnetit të shumicës brenda një komunë mbajtjen e emrave të djajve jugosllavë te së shkuares.

Shqiptarët e përgjegjshëm dhe atdhetarë nuk duan që sa herë të çohen në mëngjes të shohin në bulevardet e tyre emrin e diktatorit, që ai regjimi i burgosi dhe i pesekutoi për gjysmë shekulli shqiptarët e kësaj ane vetëm pse ishin shqiptarë që kërkonin liri si të gjithë popujt e tjerë!

Këto emra të urryer të komunizmit jugosllav janë faqja e zezë e demokraturës së re maqedone, që i mban dhe i ruan shpirtërat e djallosur jugosllavë nëpër bulevardet e qyteteve tona, ku ata mbetën si një mallkim që nuk i hoqëm dot qafe as pas 36 vjet demokraqi!

Kryekomunarët tanë janë treguar doçë të doçërve gjatë mandateve të tyre si gradonačallnikë dhe nuk kanë marrë asnjëherë seriozisht nisma për ndryshimin e emrave të urryer nga e kaluara e errët, por e kanë çuar shend dhe verë me despotët e Shkupit, pa e prishur terezinë.

Dy nga kryekomunarët e zgjedhur me votat e komitëve të VMRO-së, Bilali dhe Mendiu, janë dy kukullat e despotit Micko që kujdesen për druže Titon në Strugë dhe në Tetovë, që emri i tij të mbetet i paprekur nga kërkesat e mundshme te protestuesve të mundshëm për fshirje të bulevardit apo sheshit nga emrat e kërmave dhe mbeturinave të së kaluarës.

Për këto padrejtësi dhe vendime të njëanëshme të dhunimit të vullnetit politik të shqiptarëve duhet protestuar fuqishëm dhe jo si ata emisarët e VREDI-t që shkuan ta mbrojnë Zvërnecin në Tiranë, kur në protestat me studentët shqiptarë nuk u solidarizuan.

Sheshet dhe rrugët tona janë mbuluar me emra antishqiptarësh të ish komunizmit jugosllav dhe ata trimat e VREDI-t që i dhimbsen bretkocat e Zvërnecit vejnë të protestojnë në Tiranë, por heshtin dhe nuk guxojnë të protestojnë në Tetovë e në Shkup, kur shtypet dhe dhunohet vullneti i shumicës në pushtetin lokal dhe vullneti i pakicës në nivel republikan, kur janë në pyetje interesat kombëtare dhe identiteti ynë kombëtar?

Prandaj, shqiptarë atdhetarë dhe jo vetëm, është koha të zgjoheni dhe të çoheni në protesta për t’i hequr nga shkollat dhe bulevardet emrat e urryer të titizmit jugosllav, në të kundërtën do na dënoj historia dhe brezat e ardhshëm për puthadorë dhe vasalë të pushtetit despotik.

Medai Shaholli