Istigballsport U15 e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesëmarrjen në Vllaznimi Cup Durrës 2026, duke regjistruar një fitore të thellë 6:0 ndaj Shkumbinit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve shkruan Tetovasot.
Ylli i takimit ishte Leard Salihi, i cili realizoi plot katër gola, ndërsa rrjetën e kundërshtarit e tundën edhe Omer Ramadani dhe Dijar Kuçi, duke vulosur një paraqitje dominuese të skuadrës.
Pas ndeshjes, koordinatori dhe njëri nga trajnerët e ekipit, Habil Livoreka, vlerësoi maksimalisht angazhimin e futbollistëve:
“Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si djemtë e interpretuan ndeshjen. Ata zbatuan me përpikëri detyrat taktike, luajtën me disiplinë dhe treguan karakter fitues. Kjo fitore është fryt i punës së vazhdueshme në stërvitje, por ne mbetemi me këmbë në tokë sepse turneu sapo ka filluar.”
Livoreka shtoi se objektivi i ekipit është të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në ndeshjet e radhës.
“Rezultati 6:0 na jep besim, por nuk na lejon të relaksohemi. Respektojmë çdo kundërshtar dhe do të luftojmë në çdo ndeshje për ta përfaqësuar sa më mirë klubin tonë. I përgëzoj të gjithë futbollistët për shpirtin e garës dhe përkushtimin që treguan në fushë.”
Me këtë fitore bindëse, Istigballsport hedh një hap të rëndësishëm drejt objektivit për të siguruar kualifikimin në fazën finale të turneut.TS