Nga Kim Mehmeti

PD-ja e Shqipërisë ka vite që organizon protesta partiake kundër Piktorit, por grumbullon vetëm aq njerëz sa për ta mbajtur gjallë vetveten dhe për t’i dhënë shpirt PS-së.

Dhe do të vazhdonte të vepronte kështu, po të mos dilte rinia shqiptare, e cila i dëshmoi mbarë shqiptarisë se partitë organizojnë mitingje partiake e jo protesta mbarëpopullore.

Pra, doli rinia shqiptare dhe i mbuloi bulevardet e Tiranës, me ç’rast më në fund e gjithë shqiptaria e pa se si shprehet pakënaqësia politike.

Dhe, nëse ka shqiptarë në këtë planet që duhet të protestojnë e t’i mbulojnë vendbanimet e veta me protestues për ta luftuar këtë antishqiptarizëm institucional, ata janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të dalin sa më shumë në protesta dhe të thonë hapur vetëm një të vërtetë: se ata nuk e duan një Maqedoni që nuk i do ata, që i dhembin veshët kur e dëgjon gjuhën e tyre dhe që nuk e respekton të shkuarën e tyre.

Por kjo nuk bëhet me protesta partiake, pra duke e mbështetur njërën parti e duke e luftuar tjetrën, të cilat janë si nënë e bijë, si dy motra të përdala, të cilave u kujtohet familja vetëm kur nuk i afron pranë vetes sunduesi maqedonas.

Shkurt e shqip: kjo rini e mrekullueshme e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duhet ta pastrojë plehun dydekadësh politik, i cili nuk bëri asgjë më shumë sesa zëvendësoi një palë hajdutësh me një palë hajdutësh të rinj.

Andaj, plehu dhe turpi i sotëm politik shqiptar – VLEN-i – nuk pastrohet duke i shërbyer BDI-së, por duke i thënë mjaft vasalizmit ndaj sunduesit maqedonas, të cilin partitë shqiptare e institucionalizuan.

Sidoqoftë, protesta në Tetovë ishte e bukur dhe, dashtë Zoti, të jetë vetëm prova gjenerale për ato që do t’i mbushin bulevardet e Shkupit, kur kjo Maqedoni do e kuptojë se nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët.

Dhe kur edhe drejtuesit e VLEN-it do ta kuptojnë se janë bërë turpi i shqiptarisë; se më kot u këndon ninulla kryetari i VV-së, sepse ata i zë gjumi vetëm kur e dëgjojnë Cecën e VMRO-DPMNE-së.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume