Kepi i Gjelbër është kualifikuar në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, pasi e mbylli grupin në vendin e dytë me tre barazime.

Barazimi 0-0 ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen e fundit të grupit konfirmoi se skuadra do të jetë pjesë e fazës së 1/16-ës, në paraqitjen e saj të parë ndonjëherë në Kupën e Botës.

Futbollistët e Kepit të Gjelbër u detyruan të prisnin me ankth përfundimin e ndeshjes mes Spanjës dhe Uruguait për të mësuar nëse do të kualifikoheshin.

Sapo morën lajmin se Spanja kishte fituar, lojtarët dhe tifozët shpërthyen në festë, duke kuptuar se kishin siguruar kalimin më tej.

Spanja fitoi 1-0 ndaj dy herë kampionëve të botës, Uruguait, në Guadalajara, rezultat që i siguroi “Peshkaqenëve Blu” një përballje me kampionen në fuqi të botës, Argjentinën.

Megjithatë, përveç kualifikimit historik, Kepi i Gjelbër arriti edhe një statistikë të rrallë.

Me tre barazime në tre ndeshjet e para të Kupës së Botës, u bë vetëm kombëtarja e katërt në histori që e arrin këtë, sipas “Opta”.

Më parë, këtë e kishin bërë vetëm Uellsi (1958), Kameruni (1982) dhe Irlanda (1990).

Nga këto katër kombëtare, vetëm Kameruni nuk arriti të kalonte fazën e grupeve në debutimin e tij në Kupën e Botës.

Kualifikimi në pjesëmarrjen e parë e bën Kepin e Gjelbër kombëtaren e parë debutuese që arrin fazën me eliminim direkt që nga Sllovakia në vitin 2010.

Gjithashtu, është debutuesja e parë që e mbyll fazën e grupeve pa humbje që nga Senegali në vitin 2002.

Pak kush priste që kombëtarja afrikane të kualifikohej nga një grup ku bënin pjesë Spanja, kampione bote një herë, dhe Uruguai, fitues i dy titujve botërorë.

Tashmë, shumica e tifozëve të futbollit presin që Argjentina të kalojë më tej, por paraqitjet e Kepit të Gjelbër në këtë turne kanë treguar se kampionët në fuqi nuk duhet ta nënvlerësojnë kundërshtarin, veçanërisht pas barazimeve që afrikanët morën ndaj Spanjës dhe Uruguait.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume