Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, në një intervistë për emisionin “Direktno” në televizionin Telma, paralajmëroi zgjerimin e shumicës qeveritare edhe me një parti nga opozita, përkatësisht me Partinë Demokratike Turke (PDT), e cila ka një deputet në Kuvend. Siç sqaroi ai, partia do t’i bashkohet koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
“Do t’i informoj anëtarët e Komitetit Ekzekutiv se negociatat me Partinë Demokratike Turke për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës janë në fazë shumë të avancuar. Për të qenë edhe më i drejtpërdrejtë, ajo do të bëhet pjesë e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, si partneri më i madh në kuadër të koalicionit qeverisës”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se me kyçjen e Partisë Demokratike Turke, shumica qeveritare do të zgjerohet edhe me një deputet, i cili më parë ishte pjesë e opozitës, në kuadër të Frontit Evropian.
“Pres që këto bisedime të përfundojnë me sukses. Po bisedojmë prej një periudhe më të gjatë për një bashkëpunim që, në këtë moment, do të zgjasë deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale në vitin 2029. Në këtë mënyrë, në parim, do të formohej kabineti i ri qeveritar. Në fazën e parë do të kemi ndryshime, ndërsa varësisht nga përfundimi i negociatave me PDT-në, koalicioni qeverisës do të zgjerohet edhe me një anëtar tjetër. Gjithashtu, posti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë nuk do të ekzistojë më si dikaster i veçantë në Qeveri, por ky portofol do të jetë drejtpërdrejt nën kompetencat e kryetarit të Qeverisë”, theksoi kryeministri Mickoski.