Kapiteni i Gjermanisë, Joshua Kimmich, nuk u përpoq të gjente justifikime pas eliminimit tronditës nga Paraguai në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës, duke pranuar se skuadra e tij e meritonte plotësisht largimin nga turneu.
Gjermania u eliminua pas humbjes me penallti ndaj Paraguait, duke dështuar për herë të tretë radhazi të arrijë në fazën e 1/8 së finales të një Botërori.
Paraguai, që ishte kualifikuar si një nga skuadrat më të mira të vendeve të treta dhe renditej i 41-ti në klasifikimin e FIFA-s para turneut, përfitoi nga paraqitja zhgënjyese e gjermanëve.
Përveç mungesës së efikasitetit në sulm, Gjermania shfaqi sërish probleme serioze në mbrojtje. Me golin e pësuar ndaj Paraguait, “Die Mannschaft” regjistroi ndeshjen e dhjetë radhazi në Botëror pa e mbajtur portën të paprekur, seria më e keqe në historinë e saj. Hera e fundit që Gjermania nuk pësoi gol ishte finalja e Botërorit 2014 ndaj Argjentinës.
Kai Havertz barazoi rezultatin pas golit të Julio Encisos, por Gjermania nuk arriti të shfrytëzonte rastet e saj dhe në fund u eliminua me rezultatin 4-3 pas penalltive.
Kimmich: Ishte dita më e vështirë e karrierës sime
Pas ndeshjes, Kimmich foli pa dorashka për paraqitjen e skuadrës.
“Ndihem tmerrësisht keq. Nuk luajtëm mirë ndaj asnjë kundërshtari. Në tri ndeshje patëm probleme të mëdha ndaj skuadrave që nuk janë në nivelin më të lartë botëror. Ky është fakt. E merituam plotësisht eliminimin.”
Mesfushori e cilësoi këtë si ditën më të vështirë të karrierës së tij.
“Kur isha fëmijë, Gjermania gjithmonë luante në gjysmëfinale, finale dhe fitonte trofe. Kjo më bëri ta dua kombëtaren. Sot nuk arritëm t’u japim tifozëve asnjë arsye për krenari dhe as të krijojmë entuziazëm.”