Nga sot deri më 31 gusht hyn në fuqi regjimi i përkohshëm veror i trafikut në rrugët shtetërore të Maqedonisë së Veriut, i cili parashikon kufizime për lëvizjen e mjeteve të rënda mallrash me masë totale mbi 15 ton gjatë fundjavave dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Sipas njoftimit të Lidhjes Auto-Moto të Maqedonisë (LAMM), ndalesa do të zbatohet të premteve nga ora 17:00 deri në 22:00, të shtunave nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe të dielave nga ora 09:00 deri në 22:00.
Në rastet kur Ministria e Shëndetësisë shpall temperatura ekstreme, kufizimi do të vlejë edhe nga e hëna deri të enjten, në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.
Nga kufizimi përjashtohen automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, drithëra dhe kultura bujqësore, mallra që prishen shpejt, naftë dhe derivate të saj, materiale të rrezikshme, si dhe automjetet e kompanive të angazhuara në projektet e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
Rregulla të veçanta do të zbatohen edhe në autostradën A2, në drejtimin Shkup–Ohër–Shkup, ku deri më 1 shtator ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda me masë mbi 7.5 ton gjatë fundjavave. Kufizimi do të vlejë të premteve nga ora 15:00 deri në 22:00, të shtunave nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në mesnatë, si dhe të dielave nga ora 07:00 deri në 22:00.
Autoritetet sqarojnë se ky regjim i veçantë veror synon të lehtësojë qarkullimin drejt Ohrit, destinacionit më të frekuentuar turistik në vend, të zvogëlojë ngarkesën në pikat e pagesës dhe të sigurojë një rrjedhë më të shpejtë dhe më të sigurt të trafikut gjatë sezonit veror.