Urim Saliu
Rikonstruimet qeveritare nuk bëhen kur një qeveri funksionon mirë. Ato ndodhin kur brenda saj kriset besimi, shtohen pakënaqësitë dhe dikush duhet të japë përshtypjen se “tani gjithçka do të ndryshojë”. Në realitet, rikonstruimi është shpesh vetëm një operacion kozmetik për t’i blerë vetes edhe pak kohë.
Hiqen disa emra, sillen disa të tjerë dhe krijohet iluzioni se problemet kanë marrë fund. Por krizat nuk largohen me emra të rinj. Ato largohen me politika të reja dhe me përgjegjësi.
Në shtetet multietnike, rikonstruimet kanë edhe një dimension tjetër. Ato nuk janë vetëm ndarje ministrish. Janë beteja për dominim politik. Janë luftë për ndikim, për kontroll dhe për mbijetesë. Kush do të mbetet? Kush do të largohet? Kush do ta zërë vendin e kujt? Këto janë pyetjet që vendosen në tavolinat e negociatave.
Më e dhimbshmja është se në këto procese nuk fitojnë gjithmonë më të mirët. Shpesh shfaqen figura që dje nuk i njihte askush, pa ndonjë peshë politike apo mbështetje të provuar. Papritur bëhen ministra, zëvendësministra apo funksionarë të lartë. Ndërkohë, njerëzit që kanë djersitur në terren, që kanë mbajtur partitë gjallë në ditët më të vështira dhe kanë fituar besimin e qytetarëve, mbeten në hije.
Kjo është arsyeja pse politika po humbet njerëzit e saj më të sinqertë. Sepse mesazhi që u jepet është i qartë se nuk mjafton kontributi, nuk mjafton besnikëria, nuk mjafton vota. Mjafton të jesh pranë njeriut të duhur në momentin e duhur.
Ky rikonstruim tregoi edhe një realitet tjetër. Edhe me 58 deputetë të VMRO-DPMNE-së, qeveria pati nevojë për ndërhyrje të thella. Kjo tregon se shumica numerike nuk është gjithmonë garanci për stabilitet politik.
Brenda VLEN-it, rikonstruimi nuk i mbylli plagët. Përkundrazi, la përshtypjen se beteja për dominim sapo ka hyrë në një fazë të re. Kur partnerët fillojnë të matin forcën mes tyre, zakonisht dikush fiton përkohësisht, por koalicioni dobësohet.
Edhe opozita shqiptare duhet të nxjerrë mësime. Aleancat e ndërtuara vetëm për aritmetikë politike kanë afat skadence. Një kauzë nuk mbahet gjallë vetëm me numra, por me njerëz që i qëndrojnë besnikë asaj edhe kur nuk kanë pushtet.
Ndoshta ka ardhur koha që edhe BDI të bëjë analizën e saj më të thellë. Jo çdo derë duhet të hapet dhe jo çdo aleancë është investim politik. Historia ka treguar se disa nga kundërshtarët më të ashpër të një partie kanë qenë dikur pjesë e saj ose aleatë të saj. Kjo duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen.
Në fund, rikonstruimet nuk janë fundi i krizës. Janë vetëm pushimi i shkurtër para aktit të radhës. Dhe nëse nuk ndryshon mënyra e qeverisjes, qytetarët shumë shpejt e kuptojnë se nuk ka ndryshuar sistemi, por vetëm emrat në dyert e ministrive.