Aleanca për Shqiptarët kundërshton ashpër projektligjit për lojërat e fatit, i cili, në vend që të mbrojë qytetarët, i lejon industrisë së bixhozit të vazhdojë të ushtrojë ndikim shkatërrues mbi familjet, të rinjtë dhe fëmijët tanë.
Ne vlerësojmë se industria e lojërave të fatit nxit varësi, shkakton kolaps ekonomik në familje, rëndon sistemin shëndetësor dhe atë të mbrojtjes sociale, si dhe rrit problemet sociale që kërcënojnë stabilitetin e komuniteteve tona. Statistikat dhe përvojat familjare në terren tregojnë qartë pasojat e rënda që kjo industri sjell me vete.
Propozimi i VLEN-it që parashikon distancë prej 500 metrash midis kazinove dhe shkollave nuk mjafton. Kjo masë është vetëm një fasadë që e legalizon dhe i jep leje funksionimi një industrie që vazhdon të prodhojë varësi dhe shkatërrim. Aleanca për Shqiptarët kërkon mbylljen e plotë të veprimtarisë së lojërave të fatit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si hap i domosdoshëm për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve dhe familjeve.
Ne i bëjmë thirrje deputetëve që të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe familjeve të prekura, të heqin dorë nga çdo zgjidhje që legalizon bixhozin, dhe të miratojnë masa të qarta dhe të guximshme për parandalimin e varësisë, mbështetjen e familjeve dhe përforcimin e sistemeve shëndetësore dhe sociale. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të luftojë kundër çdo politike që rrezikon mirëqenien e qytetarëve tanë.