Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, kanë nisur sot nga pika kufitare Tabanoc fushatën e përbashkët parandaluese “Udhëto i pushuar”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rrezikun që paraqet lodhja gjatë drejtimit të automjetit, raporton TetovaSot.

Në aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Trafik, Goran Angelovski, si dhe drejtori në detyrë i Agjencisë për Siguri në Trafik të Serbisë, Branko Stamatoviç.

Toshkovski theksoi se fushata është një dëshmi e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve dhe u bëri thirrje të gjithë shoferëve që gjatë udhëtimeve të gjata të jenë të pushuar, të bëjnë ndalesa çdo dy deri në tre orë për të paktën 15 minuta, të konsumojnë mjaftueshëm ujë dhe të respektojnë kufizimet e shpejtësisë.

“Numri më i madh i aksidenteve ndodh për shkak të lodhjes së shoferëve ose shpejtësisë së tepërt. Nëse me këtë fushatë arrijmë të shpëtojmë qoftë edhe një jetë njerëzore, atëherë kemi arritur një sukses të madh”, deklaroi Toshkovski.

Ai rikujtoi gjithashtu se pas zbatimit të sistemit “One Stop” me Serbinë, pritjet në pikën kufitare Tabanoc janë ulur nga disa orë në rreth 30 minuta, edhe pse fluksi i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind.

Ministri paralajmëroi edhe shoferët që kalojnë nëpër Korridorin 8 dhe Korridorin 10, duke theksuar se sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon dhe regjistron të gjitha shkeljet në trafik.

“Së shpejti do të fillojë edhe zbatimi i fazës së dytë të sistemit, që parasheh dorëzimin e gjobave edhe për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja, duke nisur pikërisht nga pika kufitare Tabanoc”, tha Toshkovski.

Nga ana tjetër, ministri serb Ivica Daçiç vlerësoi se kjo iniciativë është shembull i bashkëpunimit rajonal në funksion të sigurisë rrugore dhe u bëri apel të gjithë shoferëve të udhëtojnë me përgjegjësi, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Në kuadër të fushatës, drejtuesve të automjeteve që kalonin nëpër pikën kufitare iu shpërndanë shishe me ujë, fletushka edukative dhe materiale promovuese me këshilla për parandalimin e aksidenteve të shkaktuara nga lodhja, raporton TetovaSot.

https://mail.google.com/mail/u/0/#inbox/FMfcgzQgMgKQhqMLNxfMvNKVTLmnnchM?projector=1

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume