Komuna e Çairit ka njoftuar se, pas motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet komunale dhe shërbimet kompetente janë angazhuar në terren për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat ku paraqitet nevoja.

“Për shkak të motit të ligë që ka përfshirë Shkupin, ekipet e Komunës së Çairit, ekipet e NP ‘Parqe dhe Gjelbërime’, Shtabi i Krizave, si dhe shërbimet e tjera kompetente, janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, duke monitoruar gjendjen dhe duke ndërhyrë kudo që paraqitet nevoja.

Shërbimet komunale do të jenë në dispozicion gjatë gjithë natës për të reaguar ndaj çdo situate të shkaktuar nga reshjet dhe erërat e forta. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me shërbimet kompetente.

Qytetarët që evidentojnë drunj të rrëzuar, degë të thyera apo pengesa të tjera në rrugë, luten t’i paraqesin në numrin 112, në mënyrë që ekipet të mund të ndërhyjnë sa më shpejt. Të gjitha ekipet janë vazhdimisht në terren dhe po punojnë për sanimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës kudo që paraqitet nevoja.

Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Çairit.