Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka akuzuar opozitën se po pengon miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke pretenduar se LSDM dhe Levica kanë dorëzuar rreth 13 mijë amendamente për të bllokuar votimin elektronik të diasporës, raporton TetovaSot.

Sipas Mickoskit, ky veprim është bërë nga frika se opozita nuk gëzon mbështetjen e mjaftueshme të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Ai akuzoi LSDM-në se fillimisht, gjatë kohës sa ishte në pushtet, nxiti emigrimin e qytetarëve dhe tani, sipas tij, po i “ndëshkon për herë të dytë”, duke mos u mundësuar të votojnë elektronikisht në zgjedhje.

Kryeministri tha se gjatë muajve të fundit ishte zhvilluar një debat konstruktiv për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe se shumica qeverisëse kishte pranuar pothuajse të gjitha propozimet e opozitës. Megjithatë, sipas tij, në momentin e fundit Levica refuzoi ta nënshkruante propozimin dhe më pas paraqiti mijëra amendamente.

Mickoski deklaroi se votimi i diasporës mbetet “vijë e kuqe” për Qeverinë, duke theksuar se bashkatdhetarët duhet të ndihen të lidhur me shtetin dhe të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës edhe në mënyrë elektronike.

Ai shtoi se sistemi aktual i votimit jashtë vendit krijon kosto të larta dhe vështirësi për qytetarët, sidomos për ata që jetojnë në Australi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shprehu shpresën që opozita të heqë dorë nga, siç tha ai, “interesat politike” dhe të mbështesë reformën zgjedhore, raporton TetovaSot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume