Në kazermën “Ilinden” në Shkup u promovua pajisje e re për Armatën, e siguruar me mjete nga Bashkimi Evropian. Pajisja është furnizuar në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, përkatësisht përmes Fondit Evropian për Paqe, dhe është e ndarë në tre paketa.
Pajisjet nga paketa e parë dhe një pjesë e paketës së dytë tashmë kanë mbërritur në vend. Bëhet fjalë për pajisje të llojeve të ndryshme, përkatësisht radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radar 3D dhe sensorë portativë. Në kuadër të paketës së tretë do të arrijnë pajisje për logjistikë, si dhe për njësitë e komunikimit dhe ato të këmbësorisë. Në prezantim morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas.
“Siguria është pjesë thelbësore e partneritetit evropian të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, veçanërisht duke pasur parasysh se në vitin 2024 nënshkruam partneritetin për siguri dhe mbrojtje. Sot jemi vërtet të kënaqur që mund të shohim rezultate të dukshme të këtij partneriteti. Jam i bindur se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë për t’u përballur me të gjitha sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa”, theksoi Michalis Rokas, ambasadori i BE-së në RMV.
“Bëhet fjalë për paketë në total rreth 40 milionë euro dhe 2 milionë euro shtesë për vendet e Ballkanit. Punojmë në vazhdimësi, shpresoj në periudhën në vijim do të njoftojmë për pako të reja që do të përfshijnë pajisje shtesë, por ajo që dua të them është bashkëpunimi i jashtëzakonshëm që kemi me ambasadorin, me delegacionin europian, sjell frute të mëdha, pajisje shtesë, rritje të buxhetit, që është shumë e rëndësishme”, u shpreh Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes .