Një seri aksidentesh të rënda, incidente dhune dhe ngjarjesh tragjike janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme informon Tetovasot.

Ngjarja më e rëndë ndodhi pas mesnate në magjistralen A-2, pranë fshatit Stracin të Kratovës, ku një automjet “Opel Astra” doli nga rruga dhe u përplas me një mur mbrojtës prej betoni. Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shoferi N.S. (28) nga Kriva Pallanka. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i viktimës është dërguar për autopsi.

Në një tjetër aksident në rrugën rajonale pranë fshatit Buçishtë të Probishtipit, u përplasën një “Volkswagen Caddy” dhe një “Kia”. Pasagjerja E.M. (28) pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa shoferi i “Kia”-s u lëndua dhe u dërgua në Spitalin Klinik të Shtipit.

Në Shkup, një grua 71-vjeçare u godit nga një automjet në rrugën “Kiril dhe Metodi”, duke marrë lëndime të rënda. Po në kryeqytet, një 23-vjeçar që drejtonte një motoçikletë u plagos rëndë në një aksident ku u përfshinë një “Audi” me targa të Tetovës dhe një trotinet elektrik, drejtuesi i të cilit u largua nga vendi i ngjarjes.

Një ngjarje tragjike u regjistrua edhe në Negotinë, ku në lumin Vardar u gjet trupi i pajetë i një 66-vjeçari që ishte zhdukur gjatë peshkimit. Autoritetet nuk kanë konstatuar shenja dhune, ndërsa është urdhëruar autopsi.

Në Shutkë, një 12-vjeçar u dërgua në spital me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Sipas policisë, ai u sulmua nga një tjetër i mitur, ndërsa më vonë u raportua se edhe një fëmijë tjetër ishte sulmuar nga katër të mitur, njëri prej të cilëve përdori mjet të mprehtë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit.

Në Radovish u arrestua një 72-vjeçar, i cili dyshohet se ka vrarë me armë gjahu qenin e një bashkëqytetari. Ai e ka pranuar veprën, ndërsa arma e gjuetisë është sekuestruar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal.

Ndërkohë, në Ohër u arrestuan dy persona pasi njëri prej tyre sulmoi fizikisht një polic, ndërsa tjetri ofendoi efektivët dhe refuzoi urdhrat e tyre.

Po në Ohër ndodhën edhe dy aksidente të tjera të rënda. Një këmbësore 56-vjeçare u plagos rëndë pasi u godit nga një motoçikletë elektrike, ndërsa një 15-vjeçar me biçikletë u përplas nga një automjet që u largua nga vendi i ngjarjes. Më vonë policia identifikoi drejtuesin e automjetit, tek i cili u konstatua prania e alkoolit në gjak.

Në Probishtip, një punëtor 45-vjeçar u lëndua gjatë kryerjes së detyrës në një minierë.

Policia raportoi edhe disa raste të tjera të dhunës fizike në Shkup dhe Sveti Nikollë, kërcënime në Bit Pazar, si dhe vandalizëm në një shkollë fillore në Gjorçe Petrov, ku persona të panjohur dëmtuan sallën sportive, morën aparate kundër zjarrit dhe dogjën libra shkollorë në oborrin e shkollës.

Për të gjitha rastet janë kryer këqyrje në vendngjarje dhe autoritetet po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe procedimin e autorëve.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume