Një nga skandalet më të mëdha të këtij Botërori ka shpërthyer pas vendimit të FIFA-s për të pezulluar ndëshkimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke i hapur rrugën aktivizimit ndaj Belgjikës.

Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe, sipas rregullores, duhej të mungonte në ndeshjen e fazës së 1/16-ve. Megjithatë, FIFA ndryshoi vendimin pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar rishikimin e pezullimit. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit. Federata Belge është shprehur e habitur dhe ka paralajmëruar apel në FIFA, madje edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Edhe UEFA reagoi me një deklaratë të ashpër, duke e cilësuar vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa paralajmëroi se ky precedent rrezikon integritetin dhe besueshmërinë e garës. Ndërkohë, prezantuesi i njohur britanik Jeff Stelling kërkoi publikisht dorëheqjen e menjëhershme të Gianni Infantinos.

“Është një turp absolut. Nuk ka rëndësi nëse kartoni i kuq ishte i drejtë apo jo. Problemi është mënyra si janë sjellë autoritetet. Gianni Infantino duhet të japë dorëheqjen sot”, deklaroi ai për talkSPORT, duke shtuar se mbi FIFA-n rëndojnë tashmë dyshime serioze për ndërhyrje politike dhe mungesë transparence.

Në debat është përfshirë edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili shkroi në rrjetet sociale se kartonët e kuq nuk zhbëhen me telefonata politike, por vetëm përmes rregullave dhe organeve të pavarura. Sipas mediave britanike, rasti Balogun mund të krijojë një precedent edhe për kombëtaret e tjera. Në Angli po diskutohet mundësia e kërkimit të një trajtimi të ngjashëm për Jarell Quansah, i pezulluar pas kartonit të kuq ndaj Meksikës, çka rrezikon të hapë një kapitull të ri polemikash në këtë Kupë Bote.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume