Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se deri në orën 20:00 të ditës së sotme janë regjistruar gjithsej 14 zjarre në hapësira të hapura në vend. Sipas të dhënave të fundit, dy vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 12 të tjera janë lokalizuar dhe shuar nga ekipet kompetente.

Zjarret aktive janë regjistruar në Komunën e Kërçovës, në afërsi të stadiumit të qytetit, ku po digjen fushë me kashtë pas korrjes dhe bar i thatë, si dhe në Komunën e Manastirit, në zonën pranë tunelit të unazës së qytetit.

Ndërkohë, zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë 12 zjarre të tjera në komuna të ndryshme të vendit. Në Demir Kapi, në fshatin Przhdevë, zjarri përfshiu dy shtëpi, një objekt ndihmës, bar të thatë dhe pyll të ulët. Zjarre janë shuar edhe në Gjorçe Petrov, Qendër, Novaci, Prilep, Dibër, Dëbarcë, Sveti Nikollë, Koçan dhe Probishtip, ku u dogjën kryesisht sipërfaqe me bar të thatë, deponi, ara me grurë, shkurre dhe pyll i ulët. Në Sveti Nikollë, flakët përfshinë edhe një automjet udhëtarësh.

Qendra për Menaxhimin e Krizave bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe punëve në ambiente të hapura, pasi temperaturat e larta dhe kushtet e thata rrisin rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume