Tre ilaçe të reja kundër mpiksjes së gjakut – enoksaparina, nadroparina dhe rivaroksabani – janë futur në listën pozitive të barnave duke filluar nga 1 korriku dhe tashmë janë të disponueshme në barnatore, njoftoi sot drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski.

Ai sqaroi se për enoksaparinën janë të disponueshme dy marka, për nadroparinën një markë, ndërsa për rivaroksabanin, në fazën fillestare, do të jetë në dispozicion një markë.
Sipas Klekovskit, dy barnat e para deri më tani merreshin me rimbursim, ndërsa tani do të jepen me recetë të specialistit në kuadër të listës pozitive. Çmimi i tyre varionte nga 1.100 deri në 2.700 denarë, ndërsa tani pacientët do të paguajnë vetëm participim prej 160 deri në 240 denarë, varësisht nga doza. Njëra markë do të jetë pa pagesë shtesë, ndërsa tjetra me bashkëpagesë, por qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin edhe variantin pa pagesë shtesë.
Për rivaroksabanin, i cili për herë të parë është futur në listën pozitive, çmimi deri më tani ishte nga 2.000 deri në 2.200 denarë. Tani ai do të merret me participim prej 160 denarësh, ndërsa në periudhën fillestare do të ketë bashkëpagesë nga 105 deri në 505 denarë, varësisht nga doza dhe numri i tabletave. Për dozën më të përdorur – 10 mg me 30 tableta – kursimi për qytetarët do të arrijë në 1.752 denarë. Nga 1 janari 2027, edhe ky ilaç do të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë, vetëm me participim.
Drejtori i FSSh-së shtoi se për shkak të vonesave nga ana e barnatoreve, nga 1 deri më 15 korrik do të pranohen kërkesat për rimbursim të barnave antikoagulante.
Duke folur për Clexane, Klekovski tha se ky ilaç përdoret edhe gjatë shtatzënisë dhe se, sipas tij, ka raste të përdorimit të tepruar. Ai theksoi se në të ardhmen do të vendosen kritere më të rrepta për përshkrimin e këtyre barnave, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë gjithmonë mjeku specialist, bazuar në indikacionet mjekësore.
Ai shtoi se enoksaparina dhe nadroparina do të vazhdojnë të jenë të disponueshme edhe për trajtim spitalor, si dhe për vazhdimin e terapisë në kushte shtëpie pas daljes nga spitali.
Këto barna ishte paralajmëruar që vitin e kaluar se do të futeshin në listën pozitive deri më 1 janar 2026, por procesi u shty për shkak të procedurave administrative.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume