Ka suksese institucionale që nuk maten me numrin e akteve të miratuara, por me mesazhin
që u përcjellin qytetarëve. I tillë është, sipas bindjes sime, edhe miratimi i Kodit të Sjelljes
Etike për deputetët.
Kam kënaqësinë që jemi mbledhur sot në një ngjarje me karakter njëkohësisht ceremonial
dhe punues. Miratimi i këtij Kodi nuk përfaqëson përmbylljen e një procesi, përkundrazi, ai
shënon fillimin e vendosjes së një standardi të ri në jetën parlamentare.
Demokracia buron nga vullneti i popullit, ndërtohet mbi ligje dhe institucione të
qëndrueshme, por mbahet gjallë nga kultura politike. Këtë jetëgjatësi të demokracisë e
garanton respekti i ndërsjellë, përgjegjësia dhe vetëdija se mandati i deputetit nuk është
privilegj, por besim i dhënë nga qytetarët.
Pikërisht për këtë arsye, ky Kod para së gjithash, është një marrëveshje morale që
deputetët lidhin me njëri-tjetrin dhe me qytetarët që përfaqësojnë.

Meqenëse konsideroj se nuk duam që ky dokument të përfundojë në arkivat e Kuvendit pas
votimit, jemi mbledhur këtu për ta trajtuar atë si një zotim të përbashkët: që interesi publik
do të mbetet gjithmonë mbi interesin personal; që debati politik do të zhvillohet mbi bazën e
argumentit dhe jo të fyerjes; që dallimet politike nuk do të shndërrohen në armiqësi
personale; dhe se dinjiteti i Kuvendit do të mbrohet çdo ditë, me përgjegjësi dhe
përkushtim.
Jam veçanërisht i kënaqur që ky dokument nuk lindi si imponim, por nga dialogu. Ai është
rezultat i një procesi të gjatë konsultimesh, diskutimesh dhe gatishmërie për të dëgjuar
njëri-tjetrin. Është hartuar me qasje inkluzive me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve
parlamentare, duke u miratuar kështu me konsensus, çka i jep atij një legjitimitet dhe peshë
të veçantë.
Të nderuar të pranishëm, jemi dëshmitarë të një epoke ku politika shpesh shoqërohet me
polarizim dhe përçarje. Pikërisht për këtë arsye, ky proces dëshmoi se është e mundur të
ndërtohet mirëkuptim kur bëhet fjalë për dinjitetin e institucionit dhe interesin e shtetit.
Në këtë pikë, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare
që kontribuuan në këtë proces, pavarësisht dallimeve politike.
Njëkohësisht, ju ftoj që zbatimin e këtij Kodi ta konsideroni si një përgjegjësi të
vazhdueshme institucional, politike dhe morale. Ju inkurajoj të vazhdoni të veproni me
përgjegjësi, maturi dhe kulturë institucionale, sa herë që bëhet fjalë për interesat e
përbashkëta të qytetarëve dhe të shtetit. Vetëm kështu mund të jemi shembulli që qytetarët
presin prej nesh.
Të nderuar partnerë ndërkombëtar,
Jeni ju ata që mbani bashkë me ne vulën e këtij suksesi. Prandaj e kam patjetër të shpreh
mirënjohjen time të veçantë për juve: Programin Zviceran për Mbështetje Parlamentare,
Ambasadën Zvicerane, Institutin Kombëtar Demokratik – NDI, si dhe OSBE-në. Mbështetja,
ekspertiza dhe lehtësimi i dialogut nga ana e juaj ishin një kontribut i çmuar e jetik që ky
proces të zhvillohej sipas standardeve dhe praktikave më të mira demokratike.
Në fund por jo më pak i rëndësishëm ishte edhe angazhimi profesional i shërbimit të
Kuvendit, që me punë të palodhshme mbështeti çdo fazë të këtij procesi.
Të nderuar miq,
Nuk do të ishte e sinqertë të besojmë se miratimi i këtij Kodi, në vetvete, do t'i zgjidhë të
gjitha sfidat me të cilat përballet politika. Jemi të vetëdijshëm se ndër vite është cenuar një
pjesë e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Kjo nuk lidhet vetëm me vendimet që janë
marrë, por edhe me mënyrën se si është zhvilluar debati politik dhe është ushtruar
përgjegjësia publike.

Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për politikanë që flasin mirë. Ata kanë nevojë për
politikanë që sillen me integritet, me respekt dhe me përgjegjësi. Sepse respekti buron nga
karakteri pastaj pasqyrohet në foltore. Integriteti ndërtohet çdo ditë, dëshmohet në çdo
vendim, pastaj reflekton në ditën e zgjedhjeve. Kështu që besimi fitohet vetëm përmes asaj
që ofrojmë dhe shembullit që japim.
Pikërisht për këtë arsye besoj se zbatimi i këtij kodi ka një rëndësi që shkon përtej
Kuvendit. Nëse arrijmë të kultivojmë një kulturë më të mirë komunikimi dhe bashkëpunimi
brenda këtij institucioni, do të ndihmojmë në forcimin e kulturës demokratike në shoqërinë
tonë.
Kuvendi duhet të jetë prijës në vendosjen e standardeve demokratike. Dhe nëse arrijmë të
vendosim standarde më të larta për veten tonë, atëherë do të kemi edhe autoritetin moral
për t'i kërkuar të njëjtat standarde çdo institucioni tjetër.
Si Kryetar i Kuvendit dhe si propozues, e konsideroj miratimin e këtij kodi, si një nga
angazhimet më domethënëse të këtij mandati. Jo sepse pretendon të zgjidhë çdo problem,
por sepse gjykoj se çdo ndryshim i qëndrueshëm fillon me vendimin për të ndryshuar veten
në kulturën e veprimit dhe të komunikimit.
Nëse dëshirojmë vërtetë të ndryshojmë kulturën politike, atëherë duhet të ndjekim një
rregull të thjeshtë e shekullor “Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në shoqëri".

Prandaj, tani që e kemi miratuar këtë Kod, përgjegjësia jonë është ta zbatojmë dhe ta
jetësojmë atë çdo ditë. Le të jetë ky fillimi i një kulture të re politike, ku argumenti
mbizotëron mbi zhurmën, respekti mbi fyerjen, bashkëpunimi mbi përçarjen dhe interesi i
qytetarëve mbi çdo interes tjetër.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume