Në pikun e verës, shumica e çezmave në fshatin Strimnicë të Komunës së Zhelinës janë të thata. Banorët shprehen të revoltuar se kjo krizë po përsëritet çdo verë, ndërsa akuzojnë autoritetet lokale për neglizhencë të kahershme.

-“Që prej një jave, unë jetoj në lagjen e lartë dhe s’kemi pikë uji. Pagesat na i kërkojnë rregullisht, ndërsa ujin e lëshojnë kur të duan ata. Nuk ka kush të interesohet për ne. Ujë për pije detyrohem të mbush në qytet, edhe pse as ai nuk dihet sa i sigurt është, ndërsa për pastrim e nevoja higjienike nuk kemi fare”.

-“Ky problem nuk është i sotëm, ka qenë gjithmonë. Por, që kur e mori menaxhimin komuna para dhjetë vitesh, situata u rëndua fare. Kur e menaxhonim privatisht, funksiononte shumë më mirë”.

-“Nuk është vetëm çështje e komunës, duhet të angazhohen të gjithë. Vera i ka sfidat e veta, vijnë edhe mërgimtarët dhe harxhimi rritet. Por ata vijnë me ditë të numëruara dhe duhet t’u sigurohen kushtet minimale”.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale e Zhelinës arsyetohen se fajin për këtë ndërprerje e kishte kapaciteti i pamjaftueshëm i pompës së vjetër. Megjithatë, menaxhmenti premton zgjidhje të shpejtë përmes një investimi të ri.

“Pompa që kishim në funksion deri më tani nuk kishte fuqi të mjaftueshme për të furnizuar të gjithë Strimnicën, ndaj na u desh të vendosim një pompë të re. Projekti ishte gati, por procedurat na vonuan pak. Dje kemi punuar 24 orë pa ndërprerje për funksionalizimin e saj dhe pastrimin e pusit. Sot, pas përfundimit të punimeve në terren, secila shtëpi në Strimnicë do të ketë ujë të pijshëm”, tha Suad Alili – drejtor i NPK – Zhelinë.

Për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të rrjetit publik për të furnizuar të gjithë fshatin, pjesa më e madhe e banorëve të Strimnicës kanë gjetur si zgjidhje hapjen e puseve nëpër oborret e tyre. Ditët në vijim do të tregojnë nëse pompa e re do t’i japë fund hidhërimit dhjetëvjeçar të kësaj vatre banimi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume