Të shtunën fillon rezistenca qytetare për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Tetova do të bëhet vendi ku mijëra qytetarë do të bashkohen në një protestë mbarëkombëtare, paqësore dhe dinjitoze, për të mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë juridike dhe parimet që për një çerek shekulli kanë garantuar paqen, stabilitetin dhe partneritetin ndëretnik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar.

Prandaj është e rëndësishme të rikujtojmë faktet.

Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi vendimin për emërtimin e rrugëve në përputhje të plotë me ligjin dhe me shumicën e dyfishtë, sipas procedurës së përcaktuar për çështje të tilla.

Vendimi iu dërgua Qeverisë. Qeveria nuk u përgjigj brenda afatit ligjor. Ligji për Vetëqeverisje Lokale është i qartë: mosveprimi i Qeverisë brenda afatit prodhon efekt juridik dhe konsiderohet miratim i aktit të komunës.

Për të shmangur çdo dilemë procedurale, Këshilli i Komunës e miratoi edhe një herë të njëjtin vendim. Edhe pas këtij votimi, Qeveria nuk ndërmori asnjë veprim. Edhe kësaj here, heshtja institucionale prodhoi efektin juridik të parashikuar me ligj.

Për 20 vjet, ky akt ishte pjesë e rendit juridik të shtetit.

Më pas, Gjykata Kushtetuese vendosi ta rihapë këtë çështje.

Gjatë procedurës, Gjykata Kushtetuese kërkoi sqarime dhe dokumentacion nga Komuna e Tetovës. Komuna nuk iu përgjigj kësaj kërkese dhe nuk e mbrojti juridikisht vendimin e saj. Mungesa e këtij reagimi institucional ka pasoja serioze dhe kërkon përgjegjësi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent me rëndësi kushtetuese. Për herë të parë vihet në diskutim një akt që ka prodhuar pasoja juridike për dy dekada. Kjo ngre shqetësime legjitime për sigurinë juridike dhe për mënyrën se si mund të trajtohen në të ardhmen çështje të tjera që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit.

Në periudhën që vjen, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë edhe për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që këto procese të zhvillohen mbi bazën e Kushtetutës, të marrëveshjeve politike që kanë garantuar paqen dhe të parimit të sigurisë juridike.

Protesta e së shtunës është një thirrje për përgjegjësi institucionale, për respektimin e rendit kushtetues dhe për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit si themel i bashkëjetesës dhe i orientimit euroatlantik të vendit.

Ftojmë çdo qytetar që beson në këto vlera të marrë pjesë në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe me përgjegjësi.

Historia e çdo shteti ka momente kur qytetarët vendosin të mbrojnë parimet mbi të cilat është ndërtuar ai shtet. Besojmë se e shtuna do të jetë një prej atyre momenteve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume